Mirënjohje nacionale për arritje të larta në sport u ndanë në sallën solemne të Qeverisë.
22 sportistë, përveç plaketës, do të marrin edhe pension mujor të përhershëm, në shumë prej gjysmë deri në një herë e gjysmë paga mesatare mujore, e paguar në Maqedoni në vitin paraprak.
“Këtë nuk e bëjmë për formalitet, por nga bindja e fortë. Nga bindja se një shtet që nuk i vlerëson heronjtë e vet, ngadalë po e humb edhe shpirtin e vet. Shteti nuk duhet dhe nuk do ta harrojë askënd që ka sjellë lavdi dhe nder, dhe e ka promovuar atë. Këto 22 mirënjohje janë vetëm fillimi”, thaHristijan Mickoski.
Po asnjë prej këtyre 22 emrave nuk ishte shqiptar. I pyetur për këtë, kryeministri Mickoski shpjegoi se bëhet fjalë vetëm për sportistë që kanë luajtur në sporte kolektive.
“Nuk kishte, përpos këtyre që i patë sot, nuk ka emra të tjerë që kanë fituar Ligë të Kampionëve ose Euroligë”, deklaroi Mickoski.
Më tej Mickoski theksoi se në sportet individuale, rezultate të këtilla të larta dhe që janë shpërblyer me lloj të këtillë të pensionit të përhershëm, nëse shihet me përqindje, 47% janë maqedonas, mbi 20% janë shqiptarë dhe të tjerët.
“Unë jam i bindur se shumë shpejtë do të kemi trima të tjerë të këtillë, pa dallim nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë, ose të tjerët, shtetas të Maqedonisë, që do ta promovojnë shtetin e tyre dhe në sportet individuale, por edhe në ato kolektive”, dekalroi ai.
Ndryshe, me çmimin kombëtar për arritje të larta në sport sot u nderuan Goran Pandev, Darko Pançev, Ilija Najdovski në futboll. Petar Naumoski, Pero Antiç në basketboll. Kiril Lazarov, Stojançe Stoilov, Vlado Nedanovski, Petar Angelov, Marko Kiziç, Marko Mishevski, Martin Popovski, Valentina Radulloviç, Elena Gjorgjievska, Indira Kastratoviç, Gordana Naceva, Mirjana Çupiç, Mileva Velkova, Anxhela Platon, Larisa Kiseljova, Elena Zlatanovska Muratovska, Klara Boeva në hendboll.