Kjo është tetë vjeçarja Fatime Hamidi, nxënëse e klasës së tretë në shkollën fillore “Besa” të fshatit Bozofcë të malësisë së Tetovës. Fatimja është e detyruar që vetë të mësojë, sepse nuk mund të kyçet në mësimin dhe detyrat online, e as ta ndjekë mësimin nga televizioni. Para tetë muajve në shtëpinë e saj është ndërprerë rrymën elektrike për shkak të faturave të pa shlyera.
Fatime Hamidi: “Detyrat nuk i bëjmë, natën nuk mund t’i bëjmë.
TV21: Po ditën i bëni detyrat?
Fatime Hamidi: Jo nuk i bëjmë.
TV21: Që kur keni dalë nga shkolla nuk i bëni?
Fatime Hamidi: Jo nuk i bëjmë.”
Të gjithë fëmijët e kësaj familje kanë të njëjtin fat. Në pamundësi për të ndjekur mësimin online, ata janë të detyruar që të rrinë nën dritën e qiriut, duke pritur që të zbardhë dita për të dalë jashtë.
Armend Hamidi: “Rrimë, as detyra, asgjë nuk bëjmë, rrimë me qiri natën .
TV21: Rrymë nuk keni, telefon nuk keni, a kishit bërë ndonjë apel?
Armend Hamidi: “Nuk kemi asgjë, rrymën të na lëshojnë dhe të kemi ndonjë telefon.”
Orieta Hamidi: “Jam klasa e gjashtë, nuk mund ti bëjmë detyra se nuk kemi as rrymë dhe as internet.
Por çfarë bëni ju në mbrëmje ?
Orieta Hamidi: Nuk bëjmë asgjë flemë.”
Kryefamiljari Jamin Hamidi thotë se njëri prej djemve (5 vjeçar) është me sindromën Doun. Nga shteti merr vetëm 4 mijë denarë që nuk i dalin as për barna. Rrymën nuk kanë mundësi për ta paguar, ndërsa për ushqim mezi ia dalin.
“Mësueset detyrat ua kërkojnë, ata nuk kanë mundësi t’i bëjnë, unë kam katër fëmijë edhe vëllai katër. Nga shteti marr vetëm katër mijë denarë, të tjera nuk marr, të hollat nuk më dalin vetëm për barna. Fëmijët në mbrëmje flenë se s’kanë çfarë të bëjnë, nuk ka rrymë, nuk kemi mundësi për ta paguar, nuk marrim as ndihmë sociale asgjë , nuk ka qenë askush të na vizitojë, të parët ju jeni, asnjë nuk ka qenë”, Jamin Hamidi, kryefamiljar.
Të njëjtin fat e përjeton edhe familja Shabani shtatë anëtarëshe.
Kaltrinën tetë vjeçare e gjetëm duke punuar detyrat e shtëpisë.
Adisin dhe Arnisin i takuam jashtë në rrugë. Edhe ata thonë se në shtëpi nuk kanë as telefon dhe as kompjuter që të kontaktojnë me mësuesit e tyre për detyrat.
“ Jo nuk i bëjmë detyrat, pasi që nuk kemi as internet, as telefon, asgjë, shoh në televizor mirëpo mësuesit nuk mund të ja dërgoj”, tha Adis Shaqiri.
Arnis Shaqiri: “Jo nuk mundem pasi që nuk kemi as internet as telefon në shtëpi.
TV21: Po çfarë bën ?
Arnis Shaqiri: Mësoj nga televiozni pak.”
Kryefamiljari Nagip Shabani thotë se është i pa punë dhe se është e vështirë që në një fshat malor të gjesh punë.
“Janë duke qëndruar në shtëpi, nuk kanë as kushte, asgjë, as mësimin nuk mund ta ndjekin, ndihma nuk marrim, ka tre muaj që mi kanë ndalë edhe ndihmat, nuk kam çka të bëjë, tha Nagip Shabani, kryefamiljar.
I lamë këto familje me shpresë se dikush atyre do tu del në ndihmë. Ata janë vetëm 20 kilometra nga qyteti i Tetovës, ndërsa fëmijët përveç që nuk dinë se ç’po ndodh këtyre ditëve në vend me krizën e shkaktuar nga virusi korona, nuk dinë asgjë për rekomandimet dhe apelet që jepen nga autoritetet shëndetësore.