Prej 1 janarit vërtetimi për nënshtetësi mund të nxirret edhe në formë elektronike nëpërmjet Portalit Nacional për Shërbime Elektronike ose nëpërmjet dorëzimit të kualifikuar elektronik të rekomanduar në adresën elektronike. Qytetarët do të munden që nëpërmjet rrugës elektronike të dorëzojnë dhe kërkesë për dhënien e letërnjoftimit dhe pasaportës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në profilin e tij në Facebook njoftoi se janë miratuar ndryshimet ligjore për digjitalizim të plotë të procesit me qëllim të përmirësimit të përvojës së qytetarëve gjatë nxjerrjes së dokumenteve personale.
“Me qëllim të përmirësimit të përvojës së qytetarëve gjatë nxjerrjes së dokumenteve personal dhe zbatimit të digjitalizimit të plotë, kjo udhëheqësi në MPB është qasur në harmonizimin e rregullativës ligjore me legjislativën evropiane, me atë që janë propozuar ndryshime ligjore të cilat Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i ka miratuar në mars të këtij viti, a do të hyjnë në fuqi prej 1 janarit të vitit 2023”, theksoi Spasovski.
Dorëzimi i kërkesës për dhënien e letërnjoftimit dhe pasaportës është mundësuar në pajtueshmëri me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dokumente Udhëtuese, Ligjit për Emër personal dhe Ligjit për Paraqitje të Vendbanimit dhe Vendqëndrimit.
“Në procedura të caktuara me ligj, siç është mbledhja e provës për publikim në Gazetë Zyrtare për letërnjoftim të humbur, gjithashtu, MPB e mbledh sipas detyrës zyrtare nëpërmjet Platformës Nacionale për Interoperabilitet. MPB mund të japë vendim për shfuqizimin e numrit amë të qytetarit ose të huajit si dokument elektronik”, thekson Spasovski.
Me qëllim të harmonizimit me digjitalizimin e proceseve të lidhura me procedurat e caktuara me ligj, siç theksoi Spasovski, janë formuar grupe punuese të cilat punojnë në revidimin e ligjeve dhe akteve nënligjore në kompetencë të MPB-së edhe atë, të Ligjit për Veprimtari Detektive, Ligjit për të Huaj, Ligjit për Polici, Ligjit për Mbrojtje të Përkohshme dhe Ndërkombëtare, Ligjit për Mbrojtje nga Materiet Eksplozive, Ligjit për Ndjekjen e Komunikimeve, Ligjit për Qarkullim të Materieve Eksplozive dhe Ligjit për Sigurim Privat.