11.8 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeNuk parashihet mësim online gjatë dimrit në Maqedoni

Nuk parashihet mësim online gjatë dimrit në Maqedoni

Na ndajnë vetëm edhe tre javë nga fillimi i sezonës së ngrohjes dhe disa shkolla të vendit veçmë kanë filluar të shqetësohen nga shtrenjtimi dhe reduktimi i energjisë elektrike, gjë që e vendos në pikëpyetje ngrohjen e shkollave gjatë muajve dimëror. Derisa autoritetet po kërkojnë zgjidhjen më të mirë, propozimi për mësim onlajn dhe zgjatje të pushimit dimëror është i papranueshëm si nga arsimtarët, ashtu edhe nga prindërit e nxënësve. Ata shprehen që dëmi i krijuar nga mësimi onlajn gjatë pandemisë veçmë është jashtëzakonisht i madh dhe të mësuarit nga shtëpia do të jetë shkatërruese për nxënësit.

“Shumica e shkollave shfrytëzojnë vajin si lëndë për ngrohje, gjë që tregon se nuk harxhohet shumë energji elektrike. Duhet vetëm vaji të sigurohet me kohë. As nuk duam ta mendojmë se mësimi mund të ndërpritet diku në tetor-nëntor kur të jetë mjaftueshëm ftohtë që të fillojë ngrohja e shkollave. Le të shkojmë të gjithë në punë. Energjia elektrike konsumohet gjithkund. Nëse ngrohja është përgjithësisht me naftë, atëherë duhet t’i kushtohet vëmendje pjesës tjetër të pajisjeve dhe ndriçimit për të kursyer energjinë elektrike dhe për të ulur faturat e energjisë elektrike”, theksojnë të indinjuar prindërit e gjimnazistëve nga Shkupi.

Njëherësh, disa nga drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme në Kumanovë bëjnë me dijë që ende nuk kanë patur ndonjë takim me kryetarin e Komunës që të bisedojnë për një zgjidhje konkrete e cila nuk do t’i dëmtonte nxënësit. Drejtorët e shkollave fillore “Naim Frashëri” dhe “Bajram Shabani” theksojnë se përafërsisht 40 deri në 50 ton vaj janë të nevojshme për ngrohjen e shkollave gjatë një sezoni të tërë dimëror, i cili zgjatë gjashtë muaj, nga 15 tetori deri më 15 prill.

“Shkolla jonë ngrohet me vaj dhe një sezon dimëror përafërsisht kërkon 40 deri në 50 ton vaj. Deri tani i kemi vetëm dy-tre ton vaj nga dimri i kaluar, të cilat i ndajmë me shkollën tjetër ‘Vuk Karaxhiq’ dhe ende nuk kemi ndonjë njoftim për furnizim të ri nga komuna. Rikthimi i mësimit onlajn me qëllim kursimin e energjisë elektrike për mua nuk ka logjikë, sepse edhe nga shtëpia do ta harxhojmë të njëjtën sasi të rrymës duke shfrytëzuar mjetet elektronike për mësim”, tha drejtori i SHF “Naim Frashëri”, Muhamet Zeqiri.

Edhe Mustafë Ebibi, drejtor i SHF “Bajram Shabani” në Kumanovë u shpreh skeptik ndaj mësimit pa prezencë fizike. “Mësimi onlajn do të mbetet zgjidhja e fundit, më mirë të mësojmë me orar të shkurtuar sesa onlajn, sepse nuk rezulton në asnjë lloj efekti pozitiv. Gjithashtu, çka sjell problem të dyfishtë është mungesa e mjeteve elektronike tek nxënësit”, shprehet Ebibi.

Qeveria ndërkohë thekson se po bëhen përpjekje që shkollat ​​fillore dhe të mesme të akomodohen dhe mësimi në periudhën e dimrit të mbahet me prezencë fizike. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka thënë se fëmijët kanë humbur shumë gjatë pandemisë Kovid dhe se nuk mendohet për variantin e mësimit onlajn. “Tani, për shkak të krizës energjetike, është më mirë të ndihmojmë shkollat ​​sesa t’i lëmë fëmijët të humbasin shumë. Konsumi për pesë muaj, nga nëntori deri në mars, për të gjitha shkollat ​​në nivel shtetëror është rreth 10 gigavat orë dhe këtë mund ta sigurojmë përmes EMV-së dhe jam i bindur se do të gjejmë një zgjidhje”, tha ai. Sipas vlerësimeve të tij, shkollat ​​nuk duhet të kenë problem deri në fund të marsit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments