6.2 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeNuhiu: BDI i shpall luftë drejtësisë selektive nëpërmjet vetingut

Nuhiu: BDI i shpall luftë drejtësisë selektive nëpërmjet vetingut

 Sundimi i ligjit dhe i së drejtës për Bashkimin Demokratik për Integrim, është parakusht absolut për drejtësi joselektive, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për zhvillimin ekonomik. Kemi konstatuar gjendje shqetësuese të pushtetit të tretë, pushtet ky i ndarë nga politika, dhe vlerësojmë se pas realizimit të përcaktimeve tona për liri dhe barazi nga Deklarata Themeluese e BDI-së koha është për të adresuar vetingun për të ardhur deri tek drejtësia joselektive, parashikueshmëria ligjore, sundimi i së drejtës dhe i ligjit në përgjithësi, potencoi në konferencën e sotme për shtyp në selinë e partisë në Shkup, anëtari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Agim Nuhiu.

Në këtë mandat, shtoi Nuhiu, shumica reformuese parlamentare dhe Bashkimi Demokratik për Integrim në veçanti, arriti t’i zbatojë të gjitha planet reformuese, edhe atë Planin 3-6-9 si dhe atë 18, bashkë me rekomandimet e Pribesë, për të plotësuar të gjitha parakushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Rrjedhimisht, u zgjodh Kryeprokurori, u miratuan Ligji për Gjykata, ligji për këshillin gjyqësor, Ligji për Prokurori të Përgjithshme, Ligji për këshill të prokurorëve publik, Ligji për luftë kundër korrupsionit dhe u zgjodh komisioni për ta zbatuar këtë ligj, Kodi penal, Ligji për procedurë penale, Ligji për avokatin e popullit dhe shumë ligje reformuese, përfshirë edhe ato në sferën e sigurisë dhe administratës publike, marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtave fundamentale, mediave dhe luftës kundër korrupsionit. Por, ligjet duhet të gjejnë zbatim nga njerëz të përkushtuar në Politikë, Prokurori dhe në Gjykata”, tha Nuhiu.

Plotësimi i tërësishëm i të gjitha kushteve reformuese, potencoi, bashkë me ato politike, u konfirmua nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe prandaj vendi ynë meriton datën për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin mars.

“Fatkeqësisht, jemi dëshmitar të aplikimit të drejtësisë selektive nga prokuroria dhe gjykatat të cilat krijojnë percepcionin e padrejtësisë dhe korrupsionit në shtyllën kryesore për stabilitetin e vendit, sundimin e ligjit. Drejtësia selektive në vend është e frymëzuar nga politika, e aplikuar nga prokurorë dhe e zbatuar nga gjykatës me paragjykime nga sisteme të kaluara, me bindje të vjetruara dhe me prirje korruptive. BDI angazhohet për qeverisje të ligjit e jo të individit, por në mënyrë të barabartë, transparente, joselektive dhe me parashikueshmëri ligjore”, nënvizoi Nuhiu në konferencën për shtyp.

Ai tha se Bashkimi Demokratik për Integrim angazhohet për veting të tërësishëm që, siç shtoi, nënkupton kontrollin e dyfishtë të secilit politikan, prokuror dhe gjykatës në vend sepse integriteti i individit udhëheqës dhe i institucionit që udhëheq janë baza e një shoqërie të shëndoshë.

“Prandaj kërkojmë nga institucionet gjyqësore që të rishqyrtojnë rastet e kontestuara në opinion që kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin e gjyqësorit duke konstatuar zbatimin e drejtësisë selektive që destabilizon shoqërinë dhe pamundëson barazinë. Rigjykimi transparent, monitorimi ndërkombëtar dhe prezumimi i pafajësisë janë parakushte për rikthim të besueshmërisë ndaj gjyqësorit në raste si Monstra, Sopoti, Alfa, Almiri, Sazdo dhe shumë të tjera. BDI në këtë mandat i shpall luftë drejtësisë selektive dhe korrupsionit!”, u shpreh ai.

Nuhiu tha se si parti do të angazhohen bashkë me qytetarët për përmirësimin e cilësisë së jetës, për zhvillim dhe vende pune për të gjithë, për t’i dhënë fund drejtësisë joselektive nëpërmjet vetingut, për rininë si prioritet absolut i tyre dhe përafrimin e standardeve tona me ato të Bashkimit Evropian. .

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments