Nga Ekonomia Online
Kosova mund të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës në maj, sipas planeve të disa shteteve të Bashkimit Evropian, të udhëhequra nga Gjermania, ka raportuar mediumi serb “Novosti”.
Sipas raportimit të këtij mediumi, planet e perëndimorëve janë që Prishtina të shtyhet në organizatën më të madhe në Evropë, para zgjedhjeve parlamentare të qershorit dhe zgjedhjes së liderëve të rinj.
“Novosti” ka raportuar të premten se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE ka përkrahjen e disa prej vendeve më të fuqishme, përfshirë edhe Britaninë e Madhe.
Në raportim theksohet se delegacioni i Serbisë do të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare në Strasburg më 22-26 janar dhe aty do të ketë mundësinë të diskutojë për çështjen e Kosovës. Sipas
Elvira Kovaq, anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka thënë se “është e qartë se po ndiqen procedura të përshpejtuara”. Ajo ka shtuar se “Serbia do të bëjë gjithçka që mundet që t’i paraqesë argumentet e forta”.
“Nuk do të rrimë duarkryq sikur gjithçka ka marrë fund. Gjithsesi, është e qartë se pavarësisht argumenteve të Serbisë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, politika dhe sjelljet e disa shteteve po luajnë rol të madh”, ka thënë ajo për “Novostin”.
Në prill të vitit të shkuar, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës pranoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Nga 46 anëtarët, 33 shtete ishin pro.
Për të pranuar anëtarë të rinj, kërkohen 2/3 e votave në Asamblenë e Përgjithshme.