Sonte në New York për herë të parë në kuadër të Këshillit të Sigurimit pritet të ketë një përballje Kurti-Vuçiq për punën e dinarit dhe për çështjen e strukturave paralele.
Qeveria e Kosovës njoftoi pak minuta më parë se kryeministri, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz kanë udhëtuar mbrëmë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës bëhet e ditur se seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet sonte në orën 21:00 sipas orës lokale në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në po këtë seancë, Serbia do të përfaqësohet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Serbia i ka dorëzuar të hënën një kërkesë misionit të Guajanës për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë. Siç u bë e ditur sot gjatë ditës në seancë do të marrë pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Serbia pretendon se gjendja aktuale në territorin e Kosovës është në “kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Ditëve të fundit, në Kosovës hyri në fuqi një rregullore që përjashton dinarin nga qarkullimi.
Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.
Faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo rregullore te komuniteti serb në Kosovë, pasi ata që nga paslufta kanë përdorur monedhën kombëtare të Serbisë. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.
Vendimi për heqjen e dinarit në Kosovë përkon me mbylljen e komunave paralele që punojnë në sistemin serb dhe janë të paligjshme për Kosovën.
Në dy javët e fundit janë mbyllur katër komuna paralele serbe në Dragash dhe në Pejë. /Reporteri.net/