12.1 C
Tetovo
E hënë, 29 Prill, 2024
BallinaLajmeBotaNetanyahu thotë se sistemet për mbrojtje ajrore janë aktivizuar: Kushdo që na...

Netanyahu thotë se sistemet për mbrojtje ajrore janë aktivizuar: Kushdo që na lëndon, do ta lëndojmë

Irani ka nisur sulme me dronë drejt Izraelit, ka thënë të shtunën në mbrëmje Forca e Mbrojtjes e Izraelit.

Televizioni izraelit Channel 12, ka thënë se pret që dronët t’i afrohen Izraelit rreth orës 02:00 të mëngjesit, të dielën, sipas kohës lokale.

Sipas tij, forcat izraelite janë duke vëzhguar “të gjitha shënjestrat”.

Ky njoftim vjen pas disa ditëve të raportimeve se Irani ka qenë duke e përgatitur një sulm kundër Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për një sulm në konsullatën iraniane në Siri, që ka lënë të vdekur edhe komandantë të lartë iranianë.

Izraeli nuk e ka komentuar asnjëherë këtë sulm, por Teherani e mban përgjegjës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se sistemet për mbrojtje ajrore janë aktivizuar dhe që forcat e armatosura të Izraelit janë gati.

“E kam një parim të qartë – kushdo që na lëndon, do ta lëndojmë. Ne do ta mbrojmë veten nga çdo kërcënim dhe do ta bëjmë këtë me qetësi dhe vendosmëri”, ka thënë ai.

Dronët besohet se janë nisur drejt Izraelit vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti amerikan, Joe Biden, është kthyer në Uashington “për t’u konsultuar me ekipin e sigurisë kombëtare për zhvillimet në Lindje të Mesme”, lidhur me tensionet e larta mes Izraelit dhe Iranit.

Biden ishte planifikuar të kalonte fundjavën në Delauer, mirëpo të shtunën pasdite është kthyer pas një njoftimi të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë.

Biden ka thënë të premten se pret një sulm iranian ndaj Izraelit së shpejti, ndonëse e ka paralajmëruar Teheranin të mos veprojë ashtu.

Më herët gjatë së shtunës, paramilitarët e Gardës Revolucionare të Iranit e kanë konfiskuar një anije të lidhur me Izraelin në Ngushticën e Hormuzit.

Operatori i anijes, grupi italiano-zviceran MSC, ka konfirmuar se autoritetet iraniane kanë fituar qasje në anije përmes helikopterit.

Shtëpia e Bardhë e ka dënuar kapjen e anijes që është nën pronësi britanike.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka biseduar të shtunën me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant, për të diskutuar për kërcënimet urgjente rajonale në Lindje të Mesme dhe ka përsëritur mbështetjen e palëkundur amerikane për mbrojtjen izraelite, sipas Pentagonit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments