Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut pritet të tregojnë se kur është vënë në kontroll situata me koronovariusin për t’i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat ishin caktuar të mbahen më 12 prill, por u anuluan për shkak të koronavirusit.
Liderët e partive politike kryesore në Maqedoninë e Veriut në takimin tek presidenti i shtetit, që pritet të mbahet më 10 apo 12 maj, do të vendosin nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen gjate verës apo në vjeshtë.
Përderisa nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, theksojnë se pavarësisht se për cilën datë do të arrijnë ujdi partitë politike për mbajtjen e zgjedhjeve, paraprakisht autoritetet e shëndetësisë duhet të hartojnë protokoll të thuktë që duhet aplikuar gjatë ditës së zgjedhjeve, pa e vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
Por tani KSHZ po ballafaqohet me një problem tjetër, atë të pastrimit të listës zgjedhore.
Ideja e disa prej partive politike për zgjedhje në qershor bie ndesh me vlerësimin e të parit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Oliver Derkoski. Ai vlerëson se pas caktimit të datës së re të zgjedhjeve, procesi duhet të fillojë nga e para me respektimin e të gjitha afateve që parashikon Kodi zgjedhor. Sipas Derkoskit, një proces normal zgjedhor kërkon 50 deri 60 ditë për organizim.
Nëse partitë insistojnë që zgjedhjet të mbahen në qershor, atëherë i bie që personat që kanë mbushur 18 vjet pas 12 prillit, të mos kenë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e ardhshme?
Ish anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi në një prononcim për Zhurnal, ka theksuar se duhet pastrim i listës zgjedhore dhe për këtë duhen së paku 37 ditë të përfundon procesi i listës zgjedhore.
Ai thotë se është konfuze për shkak se vendimi me fuqi ligjore i Qeverisë nuk parasheh pastrim të listës zgjedhore, dhe sipas tij nëse nuk bëhet pastrim i listës zgjedhore prerja e votuesve që duhet të votojnë janë me prerje deri më 12 prill.
“Nëse e marrim si procedurë, tamam sipas kodit zgjedhorë duhet pastrim i listës zgjedhore në afatet ligjore kur kemi zgjedhje, por gjitha këto afate marrim shumë kohë për listën zgjedhore. Sipas përllogaritjeve të mia duhet diku 37 ditë i gjithë procesi i listës zgjedhore të fillon dhe përfundon, që do të thotë prej ditës kur do të sjellet vendim për ndërprerjen e gjendjes së jashtëzakonshme, diku duhen 47 ditë, që i bie që zgjedhjet të mbahen më 5 korrik. Këtu është gjithçka konfuze, për shkak se vendimi me fuqi ligjore i qeverisë nuk potencon pastrimin e listës zgjedhore, potencon se aty ku ka ngelur vazhdon procesi. Por problemi më i madh mbetet lista zgjedhore, për shkak se nëse nuk bëhet spastrim i listët zgjedhore përsëri, atëherë prerja e votuesve që duhet të votojnë janë me prerje deri më 12 prill. Mirëpo të gjithë ato që mbushin 18 vjet pas 12 prillit, nuk do të mund të votojnë. Nëse partitë politike bien dakord me ndonjë çështje tjetër dhe ti japin sugjerim KSHZ-së që KSHZ-ja ta bjen me akt të vetin, dmth është lojë e partive politike por e gjithë barra është tek KSHZ-ja se çfarë vendimi do të sjellin për çështjen e datës dhe pastrimin e listës zgjedhore”, ka deklaruar për Zhurnal, ish anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
Nga KSHZ për Zhurnal theksuan se përveç përsëritjes së procedurës për shqyrtim publik të listës, duhet të sigurohet e drejta e votës edhe e personave që do të mbushin 18 vjet deri në ditën e zgjedhjeve.
Në rast se kjo nuk ndodh dhe nuk u jepet e drejta e barabartë të gjitha palëve në proces, procesi zgjedhor mund të kontestohet nga cilido.
“Shembull, tani nëse vazhdohet aty ku ka mbetur, gjë që nuk është e pamundur sepse duhet të pastrohet lista zgjedhore dhe të realizohen të gjitha ato aktivitete, kjo mund të kontestohet. Pastaj, sipas Kodit zgjedhor, varësisht datës së zgjedhjeve bëhet kalendar i ri në të cilin parashihet edhe paraqitja e grupeve të reja të qytetarëve që duan të marrin pjesë në zgjedhje”, thonë nga KShZ.