7.1 C
Tetovo
E enjte, 25 Prill, 2024
BallinaLajmeNdihmë nga Serbia, Bullgaria dhe Sllovenia! Helikopterë, zjarrfikës dhe automjete për shuarje...

Ndihmë nga Serbia, Bullgaria dhe Sllovenia! Helikopterë, zjarrfikës dhe automjete për shuarje të zjarrit

Helikopterë nga Serbia, automjete zjarrfikëse nga Bullgaria dhe Sllovenia, janë ndihmat që mbërritën nga vendet e rajonit. Pajisjet e pamjaftueshme dhe kapaciteti i dobët për ballafaqim me zjarret që u përhapën në vendin tonë, e ndezën alarmin në shtetet e huaja që të dërgojnë pjesë nga resurset e tyre për t’i vënë nën kontroll flakët. Me urdhër të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje u dërguan 4 helikopterë, 3 prej të cilëve janë për shuarje të zjarrit, kurse një për mbikëqyrje dhe koordinim. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, doli me kumtesë në të cilën thuhet se helikopterët kanë fluturuar drejt rajonit të Kumanovës, kurse nga mëngjesi i sotëm janë riorientuar për ta ndihmuar rajonin e Pehçevës.

“Helikopterët e Ministrisë së Punëve të Brendshme që janë angazhuar për shuarjen e zjarreve në fshatin Drenëk, rajoni i Kumanovës në Maqedoninë e Veriut, sot në mëngjes realizuan 21 fluturime dhe hodhën rreth 24 tonë ujë. Me urdhër të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’u ndihmuar kolegëve të Maqedonisë së Veriut dhe popullsisë, janë dërguar 4 helikopterë të MPB-së, 3 prej të cilëve janë në funksion të shuarjes së zjarrit, kurse i katërti shërben për mbikëqyrje dhe koordinim”, njoftojnë nga MPB e Serbisë.

Ndihmë mbërriti edhe nga Bullgaria fqinje, e cila dërgoi 25 zjarrfikës dhe 6 automjete kundër zjarrit. Njeriu i parë i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Bllagoevgrad, tha se zjarrfikësit bullgarë pasi kanë mbërritur në Maqedoni, menjëherë janë kyçur në luftën për ta shuar zjarrin. Tani ndodhen në pjesën lindore dhe jugore pranë Delçevës dhe Pehçevës, ku zjarri është shumë i madh dhe ende nuk është lokalizuar.

“Dje, pasi mbërritëm, menjëherë na ishin caktuar detyrat. U shpërndamë sipas parametrave dhe filluam me operacione për shuarje të zjarrit dhe me këtë vazhduam deri në mëngjesin e sotëm. Nga ana lindore dhe jugore e frontit të zjarrit, një pjesë e asaj ane është jashtëzakonisht e madhe dhe ende nuk është lokalizuar nga të gjitha anët”, tha Georgi Parmakov, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Ndihmë edhe nga Sllovenia. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Sllovenisë dërgoi 17 kamionë kundër zjarrit dhe 46 zjarrfikës për të ndihmuar në ballafaqim me zjarret. Për momentin edhe ata janë në terren në rajonin e Pehçevës. Është paralajmëruar se edhe Austria do të dërgojë disa ekipe dhe resurse me qëllim ballafaqimit sa më efikas me zjarret që ende janë aktive.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments