Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë përsëri dëshmon se ka rol jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe e përforcon sistemin gjyqësor me juristë të rinj të edukuar dhe cilësor të cilët me dinjitet do t’i zbatojnë të drejtat themelore të njeriut, do ta respektojnë traditën juridike të shtetit tonë dhe në veprimet e tyre profesionale do t’i integrojnë parimet e sundimit të drejtësisë dhe ligjeve.
Këtë sot në Gjykatën Supreme e theksoi drejtoresha e Akademisë, Natasha Gaber Damjanovska në ceremoninë solemne me rastin e ndarjes së 58 certifikatave të gjeneratës së shtatë të kandidatëve që përfunduan për gjykatës dhe prokurorë publikë në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë “Pavell Shatev”.
Kandidatët ajo i porositi se duhet t’i shërbejnë dhe ta mbrojnë interesin publik dhe se duhet të udhëhiqen sipas parimeve juridike, ndërsa jo sipas paragjykimeve ose mendimeve personale.
Drejtoresha e Akademisë i përkujtoi kandidatët se puna e tyre është me rëndësi të veçantë dhe se mund të jetë edhe aspekt i rëndë nga aspekti emotiv.
Sipas saj, kërkimi për drejtësi është proces i cili kërkon mësim të vazhdueshëm, vetëndërtim dhe bashkëpunim dhe i porositi që vazhdimisht të bëjnë përpjekje që t’i pasurojnë njohuritë e tyre dhe t’i përsosin aftësitë e tyre.
Prokurori publik Lubomir Joveski kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë publikë iu tha se ata janë përfaqësues të gjeneratës së re të prokurorëve publikë dhe gjykatësve të cilët në vete e mbajnë frymën e këtyre reformave.
Ai theksoi se prokurorët detyrimet e tyre duhet t’i kryejnë pa u ndikuar nga jashtë, të udhëhiqen vetëm nga interesi publik dhe ta kërkojnë të vërtetën.
Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi kandidatët i porositi që drejtësinë ta zbatojnë paanshëm, t’i avancojnë dhe respektojnë të drejtat e njeriut dhe të sigurojnë që të gjithë njerëzit të jenë në gjendje të jetojnë sipas ligjit. Këto janë baza, shtoi ajo, të çdo demokracie funksionale e cila bazohet në sundimin e drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Antonio Joleski tha se kjo gjeneratë e kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë publikë vjen pikërisht tani kur ka, siç tha lëndë të pazgjidhura dhe se sa më shpejtë prokurorët e rinj do të përfshihen në proces. Ai informoi se konkurset për Këshillin e Prokurorëve Publikë kanë përfunduar dhe se së shpejti kandidatët do të thirren në intervista, ndërsa prokurorët e zgjedhur menjëherë do të shpërndahen nëpër prokurori.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq tha në ceremoninë solemne se e vetmja mënyrë që qytetarët të kenë më shumë besim në institucionet tona të drejtësisë është që ato të përshtaten me standardet ndërkombëtare. Ajo shtoi se kjo do të thotë investim në cilësinë dhe gatishmërinë profesionale të kuadrit gjyqësor që hyn në sistemin e drejtësisë.