Rrëshqitja e dheut përgjatë rrugës për në Banjën e Tetovës mbetet problem i pazgjidhur, i cili rrezikon qytetarët dhe shpesh bllokon lëvizjen në atë aks rrugor. Për këtë, ka një projekt midis UNDP-së dhe Komunës së Tetovës për rikonstruimin e murrit mbajtës e dheut. Nga UNDP-ja në RMV thonë se punimet pritet të përfundojnë në mars, ndërkaq Komuna thotë se aktivitetet janë pezulluar për në pranverë. Për më tepër, me propozim të deputetëve të Aleancës për Shqiptarët, nga buxheti i shtetit për vitin 2023 janë ndarë 3 milionë denarë për këtë mur, shkruan Portalb.mk.
Dheu që rrëshqet përgjatë kësaj rruge vazhdon të përbëjë rrezik për qytetarët në vazhdimësi, ndërsa situata rrënohet kur ka reshje të shiut ku dheu dhe gurët dalin dhe bllokojnë komplet rrugën.
Rreziku pritet të jetë i pranishëm edhe këtë dimër, pasi bazuar në atë çfarë thonë autoritetet kjo pritet të zgjidhet në pranverë nga një projekt i UNDP-së.
Në kuadër të Projektit për Përmirësimin e rezistencës ndaj përmbytjeve në rajonin e Pollogut, është planifikuar rikonstruimi i murit mbajtës te ”HEC Pena” dhe sipas marrëveshjes me realizuesin, punimet ndërtimore janë planifikuar të përfundojnë me 31 Mars 2023. Nëse eventualisht kushtet e motit nuk janë të përshtatshme për kryerjen e punimeve ndërtimore, do të shtyhet afati i planifikuar për realizim”, thanë nga zyra e UNDP-së në vend.
Nga Komuna e Tetovës thonë se punimet janë pezulluar për në pranverë.
“Në lidhje me kryerjen e punimeve për “Rehabilitimin dhe stabilizimin e rrëshqitjes në LOT 3 në HC Pena, Komuna e Tetovës”, në atë pjesë janë shfaqur çarje të tokës dhe aktualisht toka është e destabilizuar. Po ashtu destabilizim, pra çarje të tokës, janë shfaqur edhe në vendet ku kontraktori BIBAJ KOMPANI DOOEL nuk ka filluar fare punën. Duke qenë se nuk është ende e sigurt për të punuar, aktivitetet në terren janë pezulluar dhe pritet të rifillojnë në pranverë. Ky projekt i takon UNDP-së, dhe intervenime të këtilla janë paraparë edhe në tri vende të tjera në Tetovë (Bozovcë, Shipkovicë dhe Poroj)”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Ndërtimin e murit mbrojtës në Banjën e Tetovës nga Aleanca për Shqiptarët e vlerësojnë si urgjent, dhe për këtë në buxhetin e vitit 2023 të shtetit me propozim të tyre janë ndarë 3 milionë denarë për këtë mur mbrojtës.
“Duke pasur parasysh rrënimet e shpeshta dhe rrezikun që paraqesin për vizitorët e shumtë të asaj pjese. Ne edhe gjatë rishikimit të buxhetit propozuam amendament të njëjtë, por atëherë u refuzua, ndërsa me buxhetin e ri për këtë vit përsëri propozuam amendament me buxhet prej 3 miljonë denarë dhe me insistimin tonë, Komisioni për Financa dhe Buxhet shprehi gatishmëri dhe e pranoi të njëjtin. Më pas ky amendament u votua si pjesë e buxhetit të vitit 2023 dhe tani që mjetet janë siguruar, shpresojmë që edhe ndërtimi të realizohet sa më shpejtë dhe në mënyrë cilësore”, tha Adnan Neziri, deputet i ASh-së.
Autoritetet deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje për problemin e dheut i cili bllokon rrugën çdoherë që ka reshje. Kjo rrugë, edhe pse e rregulluar në vitin 2017, ajo megjithatë nuk është adekuate dhe plotësisht e sigurt për shkak se shpesh herë ka shembje të tokës përreth, duke bllokuar pjesërisht apo tërësisht kalimin