Me keqardhje konstatojmë se fqinji ynë përsëri po bën përpjekje që përgjegjësinë për mos përmbushjen e detyrimeve të tyre ndërkombëtare t’ia transferojë shtetit tonë, thekson Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut në reagimin e djeshëm të MPJ-së bullgare për deklaratat e kryeministrit Hristian Mickoski.
“Theksojmë se respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) nuk janë çështje dypalëshe, por detyrim i çdo shteti anëtar të Këshillit të Evropës. Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera themelore të integrimit evropian, dhe nuk mund të pranojë mohimin apo relativizimin e tyre, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për të drejtat e pjesëtarëve të pakicës maqedonase në Republikën e Bullgarisë. Gjithashtu, dëshirojmë të theksojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut është maksimalisht e përkushtuar në procesin e integrimeve evropiane, duke besuar se ky proces nuk duhet të keqpërdoret duke vendosur kushte shtesë politike që nuk janë pjesë e kritereve të Kopenhagës. Politika e kushtëzimit dhe e akuzave të pabaza është pengesë joparimore në rrugën e integrimit evropian të vendit tonë dhe nuk kontribuon në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, por përkundrazi – krijon tensione të panevojshme që nuk përputhen me frymën evropiane të bashkëpunimit”, qëndron në përgjigjen e MPJ-së së Maqedonisë.Theksohet se autoritetet në Maqedoninë e Veriut fuqishëm angazhohen për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore mes të dyja vendeve dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut të barabartë, sjelljes me përgjegjësi, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.“Në këtë drejtim, presim qasje po aq konstruktive edhe nga ana e Republikës së Bullgarisë, bazuar në respektimin e plotë të qëllimeve dhe parimeve të Kartës së KB-së dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare, sepse kjo është në interes të qytetarëve tanë, në interes të të dy vendeve dhe në mbështetje të forcimit të paqes rajonale, stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës së përbashkët evropiane”, bëhet e ditur në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.