Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi zbardhi për “Vizion Plus” vendimin e marrë gjatë orëve të vona në mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile.
Në një intervistë për emisionin “7 pa 5”, Peleshi deklaroi për herë të parë se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është autorizuar për të bërë zëvendësimin e kontrollorëve.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë me dije detaje lidhur me mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Në një intervistë për “Vizion Plus”, Peleshi ka bërë me dije se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është autorizuar për të bërë zëvendësimin e kontrollorëve. Sipas tij, është kërkuar që të merret çdo masë për kthimin e situatës në normalitet.
“Dua të bëj me dije për herë të parë në media diçka. Ministri i Mbrojtjes është edhe drejtues i Komitetit të Mbrojtjes Civile dhe kam thirrur në orët e vona një takim të Komitetit të Mbrojtjes Civile. Ky Komitet i përbërë nga disa ministra, ka marrë një vendim me tre pika. Pika e parë ngarkon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës. Nuk mund të rrimë në vend, nuk mund të ngelemi peng i lojës politike, do të kryej deri në fund detyrën time si ministër, nisur nga rezultati i këtij Komiteti, ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. Njerëzit kanë shumë pikëpyetje kur do të vijnë, kur do të ikin, priten vaksinat, e kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim,”-tha Peleshi.