Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se rrethi në Veternik është hapur përfundimisht.
Ai tha se kjo është meritë e punëtorëve dhe mbikëqyrësve që për një muaj arritën rezultat, njofton Klan Kosova.
“Përtej gjendjes së jashtëzakonshme, sot dua t’i falënderoj punëtorët dhe mbikëqyrësit e vendpunishtes në Veternik; të cilët për 30 ditët e shkuara bënë të pamundurën. Kjo gjendje e jashtëzakonshme nuk humb mundin e tyre të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“Është punuar ditën, është punuar vazhdimisht natën – edhe në shi; është punuar mirë, nga të gjithë. Qarkullimi në Veternik është hapur përfundimisht. Rruga e planifikuar të niste punimet në prill e të përfundonte dikur në verë, u hap dje; saktësisht një muaj pas vizitës e angazhimit tonë. Ekipi i ministrisë ka shkëlqyer. Dinamika e re në këtë projekt do të shërbejë si model e mesazh për secilën vendpunishte tjetër në Kosovë”.
Për zgjatjen e punimeve para se Abdixhiku të ishte në krye të kësaj ministrie, ka pasë shumë kritika nga qytetarët.
Abdixhiku ka publikuar edhe pamjet nga punimet e vonshme përgjatë gjithë muajit të shkuar.