18.5 C
Tetovo
E premte, 19 Shtator, 2025
BallinaLajmeMinistri i Administratës Publike Goran Minçev: 40 përqind e administratës do të largohet

Ministri i Administratës Publike Goran Minçev: 40 përqind e administratës do të largohet

Partia, punësimet miqësore dhe familjare gjatë 30 viteve të fundit e kanë sjellë administratën në këtë gjendje, të jetë jofunksionale, e ngadalshme dhe joefikase, ka deklaruar sot ministri i Administratës Publike Goran Minçev, gjatë shpalosjes së pakos së re të ligjeve për përmirësimin dhe profesionalizimin e zyrtarëve shtetëror. Siç theksoi Minçev pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit me ambasadorin francez Kristof Le Rigoler, Qeveria është fuqimisht e përkushtuar për departizimin e administratës, por edhe për racionalizimin e saj që është edhe një detyrim i vendit për anëtarësim në BE.

GORAN MINÇEV, MINISTËR I ADMINISTRATËS PUBLIKE

Kemi miratuar pako prej katër ligjesh që i konsiderojmë një hap përpara drejt reformave administrative. Njëri prej tyre, për akademinë, ka të bëjë me edukimin e administratës dhe ky do të jetë një prioritet kyç në periudhën e ardhshme. Po fillojmë jo vetëm me edukimin e punonjësve të rinj në sektorin publik, por edhe me ruajtjen e vazhdimësisë së njohurive për pjesën tjetër që duhet të ndjekë trendet moderne dhe procesin evropian”.

Ambasadori francez Kristof Le Rigoler tha se reformat nuk duhen parë si detyrim, por si diçka e mirë për vendin nga e cila do të përfitojnë të gjithë qytetarët.

KRISTOF LE RIGOLER, AMBASADOR FRANCEZ

Procesi i përafrimit evropian është një proces i zbatimit të reformave dhe transformimit. Megjithatë, reformat e kërkuara nga BE-ja nuk duhet të kuptohen si kufizuese, as nuk duhet të konsiderohen si një detyrim që duhet të zbatohet sepse BE-ja e kërkon, por duhet të kuptohen si diçka që është e mirë dhe pozitive për vendin dhe nga e cila do të përfitojnë të gjithë qytetarët”.

Ministria e Administratës Publike dhe Ambasada e Republikës së Francës nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi, duke promovuar një projekt të ri strategjik që synon modernizimin e institucioneve dhe ndërtimin e një administrate publike profesionale, efikase dhe të besueshme.

Si të zbatohen reformat me qëllim që të hiqet partizimi që çdo pushtet, në mënyrën e vet, e ka futur në administratë. Ministri Goran Minçev, në nënshkrimin e sotëm të memorandumit me ambasadorin francez, Christophe Le Rigoleur, tha se këto punësime kanë sjellë një administratë të madhe por të dobët. Për këtë arsye, ai konsideron se duhet të ketë shfuqizim të disa prej bordeve mbikëqyrëse dhe drejtuese, pra një shkurtim prej 40 për qind të administratës.

“Së shpejti do të ketë një funksionalitet të përgjithshëm, pra bashkim të disa institucioneve me të tjera, me ç’rast praktikisht do të hyjmë në një proces që është obligim nga Bashkimi Evropian – një shkurtim prej 40 për qind të përdoruesve të buxhetit. Jemi dëshmitarë që kemi një numër të madh institucionesh që kanë nga një ose dy të punësuar, ose, më saktë, që janë krijuar në të kaluarën vetëm për të plotësuar nevoja politike ose partiake,” deklaroi Goran Minçev, ministër për administratë publike.

Në trajnimin e nëpunësve administrativë maqedonas, me qëllim rritjen e efikasitetit të punës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, do të përfshihet edhe Franca. Shërbyesit publikë duhet të dinë të menaxhojnë mirë dhe të jenë në njëfarë mënyre menaxherë të aftë për të udhëhequr punën, theksoi ambasadori francez Le Rigoleur.

“Sa i përket trajnimit të shërbyesve publikë, ekzistojnë shumë sfida sepse ata duhet të jenë profesionistë, pasi bëhet fjalë për qeverisjen e shtetit, njohuritë nga fushat juridike dhe gjithashtu menaxhimin. Një shërbyes shtetëror duhet të jetë një lloj menaxheri, pra të dijë me aftësi të udhëheqë të gjithë ekipin e tij, por gjithashtu të jetë në gjendje të zbatojë vendimet që vijnë nga qeveria,” tha Christophe Le Rigoleur, ambasador i Francës.

Rigoleur njëkohësisht tha se zbatimi i reformave në vend ndiqet nga afër nga Bashkimi Evropian dhe se së shpejti do të publikohet Raporti i Progresit për të gjitha shtetet kandidate për anëtarësim. Ai theksoi se reformat që i kërkon BE-ja nuk duhet të shihen si detyrim, por si diçka që do ta përmirësojë jetën në vend.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments