VMRO-DPMNE ka tre dilema nga fjalimi i kryetares së Komisionit evropian, Ursulla fon der Lajen në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Lideri Hristian Mickoski deklaroi se ato dilema dhe qëndrime i kumtoi në takimin bilateral sepse në Kuvend nuk pati një mundësi të tillë. Nga fjalimi i Fon der Lajenit në Kuvend, tha, dëgjuam praktikisht nëse kalon kjo që po e promovon Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së do të kemi mbajtje të konferencës ndërqeveritare dhe prandaj kanë dilemë nëse sipas dokumentit Qëndrim i përbashkët i Bashkimit Evropian në nenin 11 do t’i fillojmë negociatat menjëherë apo pas ndryshimit të Kushtetutës.
Në nenin 11 të dokumentit të quajtur Qëndrim i përbashkët i Bashkimit Evropian, në mënyrë të qartë qëndron se Maqedonia nuk do t’i fillojë negociatat gjithnjë derisa nuk ndryshohet Kushtetuta. Nëse është e saktë ose nuk është e saktë, po ia lë opinionit të ekspertëve të përgjigjen. Sepse, sipas këtij dokumenti lexojmë se fillimi i negociatave do të jetë pasi që do të ndryshohet Kushtetuta apo, të jem më preciz, kur një pjesë e vogël e popullit bullgar, 750 familje sipas regjistrimit të fundit, çfarëdo qoftë ai, të jenë pjesë e Preambulës dhe pjesës normative të Kushtetutës së Maqedonisë”, tha Mickoski në konferencë për shtyp.
Dilema e dytë është çështja për historinë. U përmend, tha ai, se nuk do të flasim për historinë, por këtë nuk e thotë neni 14 nga dokumenti i njejtë.
“Neni 14 thotë tërësisht të kundërtën, e ajo është se këto ditë do të nënshkruhet dokumenti që do të quhet Protokoll dhe në të do të flitet për gjithçka, vetëm jo për sundim të së drejtës, luftës me korrupsionin dhe krimin, ekonomi më të mirë dhe shëndetësi, arsim më kompetitiv. Do të flasim për mesjetën, për shekujt e 18 dhe 19, të kujt ishin Goceja dhe Dameja, e kujt ishte Kryengritja e Ilindenit etj. Që do të thotë se sipas nenit 14 dhe Protokollit, të cilin askush në opinionin e Maqedonisë nuk e ka parë, as nuk e ka lexuar përmbajtjen e tij, do të flasim për gjithçka, vetëm jo për të ardhmen. Do të flasim për probleme nga e kaluara, përkatësisht se si në shekullin 21 të asimilohet gjuha maqedonase dhe të shkatërrohet identiteti maqedonas”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së.
Neni 14, tha ai, është i lidhur me nenin 5 nga Pozicionet e përgjithshme të BE-së ku krahas kritereve të Kopenhagës dhe kritereve të definuara me Marrëveshjen për stabilizim dhe asociim, vendosen çështje bilaterale si kritere – për herë të parë vetëm për vendin tonë, ndërkaq asnjë për ndonjë vend tjetër nga 27 anëtare e BE-së, e as për Shqipërinë.
“Këtu qartë qëndron se nevojiten raporte vjetore dhe masa për implementim efektiv të dakordimit sipas nenit 12 ë Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, ndërkaq lidhur me Protokollin të cilin askush i gjallë në Maqedoni nuk e ka parë. Do të thotë se nuk është e saktë se nuk do të flasim për histori, ne do të flasim për gjithçka, vetëm nuk do të flasim për jetë më cilësore. Do të jemi të fokusuar vetëm në histori”, tha Mickoski.
Dilema e tretë është deklarata hyrëse – neni 3, ku, si tha Mickoski, qëndron qartë se Korniza negociuese do të përkthehet në gjuhën maqedonase, por pala bullgare do të japë deklaratë të njëanshme se si e sheh gjuhën maqedonase.
“Kështu që, ne nuk kemi gjuhë të pastër maqedonase, përkatësisht se kemi gjuhë të pastër e cila do të jetë pjesë e Kornizës negociuese dhe e dokumenteve të Bashkimit Evropian është gënjeshtër e madhe. Në nenin 3 qartë qëndron se do të kemi deklaratë unilaterale nga fqinji ynë lindor se gjuha maqedonase me siguri është ndonjë version i gjuhës bullgare”, tha Mickoski në konferencë për shtyp.
Në takimin me Fon der Lajen tregoi dokument për standardizim të gjuhëve botërore nga konferenca e Kombeve të Bashkuara e vitit 1977 e mbajtur në Athinë në të cilin, tha, qartë qëndron dallimi mes gjuhës maqedonase dhe asaj bullgare me alfabetin maqedonas cirilik.
Duke pyetur – nëse këtë e bëjnë administratorë që duhet t’i kyçim në librat tanë, Mickoski tregoi fotografi nga të rinjtë e pushkatuar në Vatashë, nga vagonët e Hekurudhës nacionale bullgare e cila deportoi 7114 hebrenj maqedonas në kampin e Treblinkës, nga Vera Ciriviri-Trena, siç tha, “e vrarë nga këta administratorë sepse luftonte kundër fashistëve në Luftën e Dytë Botërore”.
“Dikush dëshiron të fshijë se populli maqedonas çdoherë ka qenë në anën e vërtetë të historisë dhe se ka luftuar kundër atyre që ishin në anën e gabuar të historisë. këto janë dilemat e mia dhe të VMRO-DPMNE-së, ndërkaq, për fat të keq, nuk i kanë këta politikanë të korruptuar në qeveri të cilët po e shesin atë që dikush e ka paguar me gjak dhe jetë”, shtoi Mickoski.