Kryeministri Hristijan Mickoski, në promovimin e programit pesëvjeçar të Qeverisë dhe Fondit të Popullsisë të OKB-së (UNFPA), theksoi se ky dokument nuk është vetëm formalitet, por një plan për aktivitete konkrete të drejtuara drejt së ardhmes së shtetit dhe qytetarëve.
“Burimi më i rëndësishëm i një shoqërie janë njerëzit. Pa fëmijë nuk ka të ardhme – nuk ka shkolla, universitete, ekonomi, as shtet. Familja, dhe veçanërisht familja me shumë fëmijë, duhet të jetë prioritet, sepse kjo është akti më i lartë patriotik për atdheun”, tha Mickoski.
Ai kujtoi se Maqedonia po përballet me një krizë serioze demografike – numri i të sapolindurve nga mbi 50,000 në vitin 1950 është zvogëluar në rreth 16,000 në vitin 2024. Kryeministri paralajmëroi se nëse ky trend vazhdon, brenda 20 vjetësh shteti mund të ketë më pak se një milion banorë, çka do të çonte në kolaps të sistemit të pensioneve dhe të shëndetësisë.
Si pjesë e masave, Qeveria njoftoi për mbulim të shpenzimeve për gjashtë tentativa falas për fekondim in vitro, libra mësimorë falas, çerdhe të reja dhe mbështetje për familjet e reja.
“Kjo program është dëshmi se kemi mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, por edhe se përgjegjësia është jonë – të mbajmë të rinjtë, të ruajmë familjen dhe të sigurojmë të ardhmen e Maqedonisë. Koha është tani, dhe e ardhmja është tek fëmijët tanë”, theksoi kryeministri.