www.telegrami.mk
Satira dhe ironia
Po të ishte gjallë Shekspiri, ndoshta tragjedinë e tij të radhës nuk do ta quante Hamleti, por «Mickoski dhe dilema e Bërvenicës».
Sepse, pas gjithë atyre premtimeve të mëdha për Maqedoninë e vetme, për kthimin e rinisë nga gurbeti, për investime kapitale, për standard më të lartë jetese, për drejtësi efikase dhe për hyrje në Bashkimin Evropian para Shqipërisë, duket se kryeministrit i ka mbetur një problem i vogël: Bërvenica!
Premtoi ndryshim emri, por qytetarët prisnin ndryshim jete. Premtoi investime, por në Maqedoninë Perëndimore qytetarët ende presin që investimi të mos jetë vetëm një fotografi para kamerave. Premtoi efikasitet institucional, por kur vjen puna te gjuha shqipe dhe barazia kushtetuese, duket sikur ora e shtetit ecën përpara, ndërsa akrepat e barazisë ecin prapa.
Ndërkohë, borxhi publik, kreditë dhe afatet e projekteve madhore janë bërë tema që kërkojnë përgjigje, jo konferenca shtypi. Edhe Korridori VIII, që duhej të ishte urë lidhëse e zhvillimit, rrezikon të shndërrohet në simbol të pritjes pa fund.
Dhe ja ku shfaqet Bërvenica!
Një komunë që, sipas kësaj logjike politike, peshon më shumë se madhësia e saj në hartë. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një kryetar komune. Bëhet fjalë për një simbol, për një mesazh ndaj elektoratit të VMRO-DPMNE-së dhe për një provë se deri ku mund të shkojë ndikimi politik në bllokun shqiptar.
Herën e parë, Mickoski e mori Bërvenicën. Por një fitore zgjedhore nuk është çek i bardhë për të ardhmen. E tash, kur rikthehet në lojë me një kandidat tjetër, pyetja nuk është vetëm kush do të fitojë, por a mund të përsëritet rezultati pa u përsëritur edhe të njëjtat pazare politike?
VLEN-i duket sikur i thotë: «Ne jemi në lojë!» BDI-ja, nga ana tjetër, pret që loja të mos mbarojë pa të. Ndërsa Mickoski i shikon të dyja palët si spektatorë që mund t’i ndihmojnë në skenën e tij.
Por këtu ka një problem: votuesi shqiptar nuk është pronë partie, as kapital negociues dhe as numër që bartet nga një tavolinë pazari në tjetrën.
Vota është e qytetarit!
Nëse qytetari i Bërvenicës vendos ndryshe nga kalkulimet partiake, atëherë shembet matematika e të gjithëve: e VLEN-it, e BDI-së dhe e VMRO-DPMNE-së. Sepse në demokraci, partitë mund t’i bëjnë llogaritë në zyrë, por rezultatin e shkruan votuesi në kutinë e votimit.
Dhe këtu Mickoskit i del para dilema e vërtetë: nëse fiton, do ta shesë rezultatin si dëshmi të fuqisë së tij politike; nëse humb, do të duhet të shpjegojë pse një komunë shqiptare i doli më e vështirë se gjithë retorika e tij nacionaliste.
Ndoshta për elektoratin e vet një fitore në Bërvenicë do të ishte trofe. Por një humbje do të ishte pyetje e pakëndshme: nëse qeveria është aq e fortë sa pretendon, pse i duhet ta masë fuqinë e saj pikërisht në këtë komunë?
Dhe ndërsa qytetarët presin zhvillim, investime, drejtësi dhe barazi, politika vazhdon të merret me simbole, kandidatë dhe pazare.
Mickoski, mos e ngatërro Bërvenicën me fronin e Maqedonisë! Një komunë nuk është kurorë mbretërore dhe votuesit nuk janë oborrtarë që duartrokasin sa herë ngrihet perdja.
Sepse në fund, pyetja shekspiriane nuk është më «To be or not to be?».
Është kjo:
Të qeverisësh me rezultate apo të mbijetosh me slogane?
Dhe për Bërvenicën, përgjigjen nuk e jep as Mickoski, as BDI-ja, as VLEN-i.
E jep qytetari.
Sepse miu mund të kalojë një herë mbi mustaqe, por nuk mund ta bindë macen se është bërë luan.
E Bërvenica, kësaj radhe, mund të jetë pikërisht vendi ku politika zbulon se jo çdo gjë që llogaritet në zyrë fitohet në kuti votimi.
www.telegrami.mk
p.s .Nesër vazhdimi 5 i fundit ….votuesit e korpusit politik shqiptar duhet të jenë të dielën të pastruar nga ndërgjegja se iks partia shqiptare është borxhlie te vmro…mbase edhe janë…kryesore …ju nuk jeni… por për tua prishur planet VOTONI QYSH në raundin e parë tunç…KANDIDAT SHQIPTAR..sepse Maqedonia është në NATO… luftë nuk ka …por NATO është këtu… ju jeni për votën tuaj NATO…
Mesut Shabani


