Mbyllje e kopshteve, shkollave dhe universiteteve në 14 ditët e ardhshme, rekomandim i Komisionit të cilin do ta shqyrtojë Qeveria (foto dëshmi dokument)

240

Mbyllje prej 14 ditëve të kopshteve të fëmijëve, shkollave dhe universiteteve, rekomandon Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, i cili takohet me qëllim të ndërmarrjes së masave shtesë për menaxhim me koronavirusin, pasi deri më tani në vend janë regjistruar shtatë të sëmurë, në mesin e të cilëve edhe drejtoresha e Klinikës për Sëmundje të Lëkurës.

Masat, të cilat i rekomandon Komisioni, janë dorëzuar deri në Qeveri dhe për to duhet të debatohet, thonë burime qeveritare për MEDIAL-n.

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse rekomandon ashpërsimin e masave dhe udhëzimeve që të gjitha institucionet fillore, të mesme dhe të arsimit të lartë, si dhe kopshtet e fëmijëve, të ndalojnë me realizmin e procesit edukativo-arsimor në 14 ditët e ardhshme.

Ndalohen të gjitha tubimet masive në vende të hapura dhe të mbyllura, të gjitha ngjarjet kulturore në nivel të RMV-së, ndërsa ngjarjet sportive të zhvillohen pa publikë.

Vendoset vetizolim i obligueshëm i të gjithë personave, të cilët vijnë nga shtetet me rrezik të lartë dhe të mesëm në periudhë prej 14 ditëve.

Ndalohet eksporti i pajisjeve dhe mjeteve medicinale nga ana e operatorëve ekonomikë dhe prodhues nga vendi, përveç se me leje të veçantë nga Ministria e Shëndetësisë.

Rekomandohet shmangie e udhëtimit në vende me rrezik të lartë dhe të mesëm. U rekomandohet të rriturve dhe kategorive me rrezik më të lartë të qytetarëve me sëmundje kronike që ta ulin lëvizjen e tyre dhe ta shmangin transportin publik.

Të punësuarit në institucionet shëndetësore publike të cilët janë të angazhuar për nevojat e procesit të zgjedhjeve të përjashtohen nga pjesëmarrja e mëtutjeshme dhe të zëvendësohen me persona të tjerë.

Lista e vendeve me rrezik të lartë dhe të mesëm do të vendoset në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ajo do të azhurnohet për çdo ditë.

Të vendoset hartë lokacioni për të gjitha fluturimet dhe për të gjithë kompanitë ajrore.

Ata të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të dënohen sipas nenit 205 dhe 206 nga Kodi Penal.

Rekomandimet duhet të shqyrtohen në Qeveri, ndërsa sot në orën 14:00 konferencë për medie do të mbajë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.