Artan Grubi “u arratis” nga Maqedonia, për 14 muaj ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes penale, u kthye dhe përfundoi në arrest shtëpiak. Ndërsa VMRO-DPMNE-ja shtirej sikur po zhvillonte një luftë pa kompromis kundër Grubit, prapa skenave negociohej ndarja e tortës milionëshe nga projekti “Bechtel dhe Enka”. Marrëveshja vazhdon, ndërsa sot, pas përfundimit të afatit ligjor, Grubi është qytetar i lirë.
Kontrata me “Bechtel dhe Enka” është një marrëveshje miliardëshe që, sipas partisë E Majta, lidh skemat korruptive të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së. Kontrata u nënshkrua gjatë kohës së qeverisjes së BDI-së dhe LSDM-së, ndërsa VMRO-DPMNE-ja, në vend që t’i hetonte dyshimet pas ardhjes në pushtet, vazhdoi zbatimin e saj.
Ndërkohë, në strukturën pronësore të kompanisë “Elektra Solutions”, e angazhuar për mbikëqyrjen e projektit, hyri Bojan Saveski, kuadër i VMRO-DPMNE-së dhe ish-bashkëpunëtor i Koce Trajanovskit. Për dy vjet, Ministria e Punëve të Brendshme, nën drejtimin e Toshkovskit, nuk i sqaroi dyshimet lidhur me këtë tender.
BDI-ja e negocioi biznesin miliardësh, VMRO-DPMNE-ja e mori përsipër dhe vazhdoi me të, ndërsa përgjegjësia mbeti e varrosur.
Marrëveshja është e thjeshtë: VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja ia ruajnë shpinën njëra-tjetrës, ndërsa komisionet nga “Bechtel dhe Enka” janë interes i përbashkët! Ndërsa Mickoski shtiret si luftëtar i pakompromis kundër BDI-së, Grubi del nga arresti shtëpiak dhe projekti miliardësh vazhdon pa u dhënë përgjigje dyshimeve që e shoqërojnë.
Njëri krah përfiton lirinë nga përgjegjësia, tjetri vazhdon me kontratat. Populli le të vazhdojë të besojë në luftën e tyre të pretenduar.
Grubi nuk është vetëm simbol i korrupsionit të BDI-së, por, sipas E Majtës, edhe dëshmi e pazarit politik të VMRO-DPMNE-së, e cila e shndërroi atë në instrument për të fituar pikë para zgjedhjeve, ndërsa tani po i mundëson një dalje të rehatshme nga masa e arrestit.
Nuk ka asnjë përballje të mirëfilltë me kriminalitetin – pretendon E Majta – por një marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për mbrojtje të ndërsjellë dhe ruajtjen e interesave milionëshe rreth projektit “Bechtel dhe Enka”.
Mickoski nuk e rrëzoi skemën e BDI-së, por mori pushtetin për të vazhduar ta menaxhojë atë, përfundon reagimi i partisë Levica.
