Ky do të jetë koalicioni i ri qeverisës i Izraelit, me islamistët arabë brenda

40

Tashmë është arritur marrëveshja për formimin e një koalicioni të ri qeveritar që do ta rrëzojë nga pushteti pas 12 vitesh kryeministrin e deritashëm, Benjamin Netanyahun. Por, kush janë partnerët e koalicionit dhe kah pritet të drejtohet politika e këtij vendi?

Koalicioni në fjalë do të udhëhiqet nga Yair Lapidi që ka 17 ulëse në Parlamentin me 120 ulëse të Izraelit.

Dy partitë kryesore, Yesh Atid dhe Kahol Lavan janë të profilizuara si centriste. Sidoqoftë, pjesë e këtij koalicioni do të jenë edhe gjashtë parti të tjera, përfshirë edhe arabët islamistë me partinë “Raam” që udhëhiqen nga Mansour Abbas.

“Vendimi [për t’ju bashkuar koalicionit] ishte i vështirë por ishte e rëndësishme të arrinim një marrëveshje. Kishte shumë gjëra në të mirën e shoqërisë arabe në Izrael,” kishte thënë Abbas i pyetur nga gazetarët pse iu bashkua koalicionit.

Arabët kanë katër ulëse, por këto katër ulëse janë shumë të rëndësishme pasi koalicioni deri tash i kishte 58 ulëse, dhe me këto katër ulëse të arabëve do t’i ketë 62 aq sa i nevojiten për të formuar qeverinë e re.

Pjesë tjetër e këtij koalicioni do të jenë edhe laboristët të udhëhequr nga Merav Michaeli, Yamina e Naftali Bennettit, Shpresa e Re e Gideon Sa’arit dhe Meretzi i Nitzan Horowitzit.

Sidoqoftë, problemi kryesor është profili ideologjik i partive. Shumica e partive janë ose të qendrës ose të djathta, me vetëm dy parti të majta që së bashku i kanë trembëdhjetë ulëse.

Kryeministër i Izraelit deri më 2023 do të ishte z. Naftali Bennett ndërsa pas vitit 2023 e deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja do të ishte Yair Lapid.