Deputetët pas 1 gushtit shkojnë në pushim kolektiv. Por dhjetëra ligje dhe iniciativa mbeten në procedurë parlamentare. Opozita druan se pas pushimeve, ligjet do të vazhdojnë të mbahen pezull për shkak të zgjedhjeve lokale. Në procedurë ka mbetur ligji i cili parashikon të dielën ditë jo pune, ligji për gjykatësit kushtetues, interpelancat dhe pakoja e ligjeve për arsim.
“Ligji për gjykatësit kushtetues, Ligji për lëndët narkotike me ylli Evropian, Ligji për marrëdhënie punë ku e diela parashikohet ditë jo pune, disa ligje për arsim mbi konceptin e ri në shkollat fillore. Gjithashtu mbetën pa u shqyrtuar interpelancat tona për dy ministra, Ligji për prodhuesit e duhanit etj. Kërkuam seancë për shqyrtimin e gjendjes shëndetësore në nivel shteti por nuk u bë. Nuk u bë as debati publik për ligjin i cili parashikon rritjen e çmimit të energjisë elektrike”, tha Dafina Stojanovska, deputete e OBRM-PDUKM-së.
Opozita vlerëson se në 6 mujorin e fundit ka mbizotëruar mungesa e konsensusit mes pushtetit dhe opozitës.
“Konsensusi është i vështirë me këtë shumicë parlamentare. Mundem vetëm ta përshëndes konsensusin për rezolutën tonë, duke përfshi në falënderim edhe deputetët shqiptar. Konsensusi i fundit dëshmoi se bashkërisht mund të kujdesemi për interesat shtetërore”, theksoi Dafina Stojanovska, deputete e OBRM-PDUKM-së.
Pas pushimit, ligjvënësit do t’i kthehen pikave të mbetura në seancat e hapura. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në takimin e fundit me gazetarët njoftoi se seanca e re e parë pas pushimeve do të thirret më 14 shtator. Sipas Rregullores pushimi i deputetëve zgjat nga 1 deri më 31 gusht.