Kuvendi i Kosovës nuk është konsituuar as të dielën e 13 korrikut, dhe kështu deputetët kanë shënuar herën e 46-të që mblidhen, akuzojnë njëri-tjetrin dhe nuk e finalizojnë procesin.
Pavarësisht që deputetët e secilës parti insistojë në rëndësinë e formimit të institucioneve të reja, ato prapëseprapë nuk lëkunden nga qëndrimet e kundërta që kanë.
Në seancën e 13 korrikut kanë marrë pjesë 82 deputetë.
Edhe pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari e ka mbyllur seancën, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë vazhduar të mbajnë fjalime drejtuar qytetarëve të Kosovës me thirrjet që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – partia që ka fituar më shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit – t’i japë fund kësaj situate.
Sipas tyre, LVV-ja po e “saboton qëllimshëm shtetin”.
Situata është bllokuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.
Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse ec afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.
Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesit e partive politike ditë më parë, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, mirëpo situata nuk ka ndryshuar.
Ajo e ka përmendur edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.