Teksa marrëveshja e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët po mbahet pezull nga Gjykata Kushtetuese, dy qeveritë po vijojnë me planin për vënien në jetë të këtij akti.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani ka deklaruar do të vizitojë Tiranën më vonë gjatë javës, për të diskutuar në lidhje me konfretizimin e saj.
“Më 22 dhjetor do të jem në Shqipëri, ku do të takohem me kryeministrin Rama”, ka deklaruar Tajani në një takim me ambasadorët e Italisë.
Ndër të tjera, Tajani u shpreh se qeveria italiane pret që marrëveshja të miratohet, pavarësisht se për momentin, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë kërkesën e opozitës për pezullimi ne saj.
“Qeveria italiane nuk është e shqetësuar për pezullimin e ratifikimit dhe në çdo rast ekziston vullneti për të mos ndërhyrë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese shqiptare”, ka deklaruar Tajani.
Më datë 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezulloi ratifikimin e akordit italo-shqiptar, pas kërkesës së bërë nga Partia Demokratike dhe mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Marrëveshja parashikon ngritjen e dy kampeve për emigrantët në Gjadër dhe Shëngjin të Lezhës, ku Italia do të grumbulloj refugjatët që tentojën të hyjnë ilegalisht në Itali, nëpërmjet rrugëve detare.