Thirrje për veprim ndaj propagandës e dezinformatave të Serbisë u ka drejtuar kryeministri Albin Kurti, përfaqësuesve të trupës diplomatike në Kosovë. Në edicionin e shtatë të Konferencës së Ambasadorëve, ai alarmoi se Beogradi zyrtar po ndihmohet nga Moska në ngritjen e një rrjeti narrativash që e synojnë pengimin e përparimit të Kosovës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.Kryeministri Albin Kurti ka alarmuar të shtunën se Serbia po i përdor propagandën dhe dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme, dhe se me mbështetjen e Rusisë, ka ngritur narrativë që synon ta dëmtojë dhe ta pengojë përparimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
Ai këtë qëndrim e shprehu, gjatë fjalimit në kuadër të edicionit të shtatë të Konferencës së Ambasadorëve në Kosovë.
E atyre u drejtoi thirrje që të reagojnë në mënyrë më të shpejtë për t’i mundur sulmet hibride që po ndërmerren nga Beogradi zyrtar.
“Komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktivë dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet dhe për më tepër i lë hapësirë edhe propagandës edhe dezinformatave. Raportet që ju dërgoni janë posaçërisht të vlefshme kur janë të shpejta, të mprehta dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni më parë sesa gjatësia e dokumentit”, ka thënë Kurti para ambasadorëve të Kosovës. “Për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë. Në këtë pikë, duhet të jeni edhe aktivë edhe proaktivë dhe të kontribuoni në përgjigje të shpejta që duhet të ofrohen”.
Kryeministri u kërkoi ambasadorëve edhe angazhim në promovimin dhe në forcimin e pozitës së shtetit të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
“Puna juaj nuk është thjesht përfaqësim, por angazhim në fuqizimin e pozitës sonë. Provimi i interesave ekonomike, të sigurisë dhe politikës së jashtme janë detyra juaj parësore kurse demokracia, sundimi i ligjit, liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut janë parimet dhe vlerat themelore që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për punën tuaj, punën e të gjithë neve”, ka thënë Kurti.
Kurti dha edhe të tjera udhëzime.
“Është përgjegjësi e juaja të tregoni historinë e popullit tonë, por edhe të mësoni e të kuptoni sa më mirë të mundeni historinë, kulturën dhe aspiratat e vendeve ku shërbeni”, ka thënë kryeministri. “Aleanca, partneriteti strategjik dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, me Mbretërinë e Bashkuar duhet të jenë prioritet. Të gjitha shtetet e NATO-s janë shtete ku ne përqendrohemi në intensifikimin e raporteve me ta”, ka theksuar ai.
E zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se si një prej prioriteteve për Kosovën mbetet anëtarësimi në Këshillin e Evropës.
“Në fillim të mandatit tonë kjo dukej si një synim i largët, por sot jemi një hap larg nga përmbushja e tij. Dy hapat e rëndësishëm janë arritur, pranimet tona në aplikim si dhe kalimi i të gjitha fazave, procedurave, madje edhe votimi me 80 për qind në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Tani na ndan vetëm një hap i fundit për t’u bërë pjesë e kësaj organizate që forcon të drejtat e qytetarëve dhe pozitën tonë ndërkombëtare dhe është pikërisht procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka folur edhe për ndikimin e pasaportës së Kosovës dhe për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, në të cilat për herë të parë qytetarët që jetojnë jashtë shtetit do të mund të votojnë nëpër ambasadat dhe konsullatat e Kosovës.
“Ky hap forcon lidhjen midis Kosovës dhe qytetarëve të saj jashtë vendit. Një pjesë e kësaj konference do t’i kushtohet bashkëbisedimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, bashkëbisedim ky jetik për të siguruar që ky proces do të zhvillohet me sukses dhe në përputhje të standardeve më të larta. Ky bashkëpunim do të ndihmojë në adresimin e çdo detaji organizativ dhe në garantimin se çdo qytetar pavarësisht vendndodhjes së tij do të ketë mundësi që të shprehë votën e tij”, ka thënë ministrja Gërvalla.
E kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu, e theksoi rëndësinë e diplomacisë parlamentare, të cilën e kualifikoi si shtyllë të fuqishme të politikës së jashtme të shtetit.
“Sot përmes kësaj konference i japim një rëndësi të veçantë reflektimit mbi të arriturat dhe sfidat e diplomacisë sonë me një fokus ndryshe në drejtimet ku mund të përforcohemi dhe të ndryshojmë pozitën ndërkombëtare. Dua të nis me rëndësinë e diplomacisë parlamentare. Ky dimension nuk është më një shtojcë në diplomacinë shtetërore, por është një shtyllë e fuqishme e saj. Në vitet e fundit, Kuvendi i Kosovës ka ndërtuar rrjete bashkëpunimi me parlamente të vendeve të ndryshme, duke lobuar drejtpërdrejt për njohje të reja dhe përkrahje në forume ndërkombëtare”, ka thënë Kryeziu.
Ndryshe nga herët e tjera, në edicionin e shtatë të Konferencës së Ambasadorëve nuk ka marrë pjesë edhe presidentja, Vjosa Osmani.