KKryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në Vjenë të Austrisë, ka thënë se paqja në rajon është e paqëndrueshme dhe e pamundur për shkak të Serbisë.
Kurti shtoi se derisa lidershipi në Serbi nuk pranon të kërkojë falje apo të pranojë fajin e vet, paqja kuptimplotë e qëndrueshme në Ballkan është e pamundur.
“Në vend se të kërkojë falje, Serbia vazhdon të kërcënojë fqinjët e saj dhe të përdorë pakicat etnike si vegël për destabilizim në vend se të ndihmojë integrimin e tyre”, ka thënë ai.
Tutje, kreu qeveritar, hodhi kritika edhe ndaj Bashkimit Evropian, pasi sipas tij, po e shpërblen Serbinë me miliarda euro investime, përkundër që kjo e fundit refuzon vlerat evropiane.
“Bashkimi Evropian në vend se të sanksiononte agresionin serb ndaj fqinjëve të saj e ka shpërblyer me miliarda investime të BE-së dhe avancim drejt anëtarësimit të BE-së, derisa lidershipi serb ka kuptuar se për të marrë investimet e tilla të BE-së, pranimi i fajësisë nuk ishte detyrues, ishte e mundur që Serbia të merrte paratë e BE-së duke refuzuar vlerat evropiane”.
Në përpjekje për të qenë neutral ndaj statusit të Kosovës, ata janë bërë neutral ndaj agresionit të Serbisë ndaj fqinjëve të vet dhe neutral ndaj mungesës së vëmendjes së Serbisë ndaj vlerave evropiane”, ka thënë ai.
Pavarësisht kësaj, Kurti tha se Kosova është e gatshme për bisedime dhe marrëveshje paqësore me Serbinë, por sipas tij Vuçiq nuk e dëshiron këtë.
“Interesat dhe vlerat duhet të jenë të ndara. Kemi të bëjmë me një dialog për njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, njohja e ndërsjellë dhe demokratizimi i këtij rajoni kontribuon në paqen e qëndrueshme në Evropë”, ka thënë ai.
Këto deklarime Kurti i bëri në konferencën për paqe në Ballkan i ftuar nga Instituti Austriak për Politikë Evropiane dhe të Sigurisë dhe Akademia Diplomatike e Vjenës.