BallinaLajmeKur shëndetësia parandaluese bëhet vetëm një premtim: kush po i mbron qytetarët...

Kur shëndetësia parandaluese bëhet vetëm një premtim: kush po i mbron qytetarët e Tetovës?Në RMV vetëm në Tetovë shteti dështon në çdo segment shtetëror.Pse jetojnë shqiptarët autokton?

www.telegrami.mk

235 infermiere patronazhi për gjithë shtetin, ndërsa në Tetovë një infermiere duhet të mbulojë më shumë se 33 mijë banorë. Kjo nuk është thjesht mungesë personeli. Kjo është dështim i politikës shëndetësore dhe pabarazi në trajtimin e qytetarëve.

Politikanët flasin çdo ditë për reforma në shëndetësi, për investime, për spitale të reja dhe për modernizim të sistemit. Por ekziston një pyetje shumë më themelore: çfarë ndodh me qytetarin para se ai të bëhet pacient?

Pikërisht këtu hyn shërbimi patronazh.

Infermierja patronazhi duhet të jetë një nga hallkat më të rëndësishme të shëndetësisë parandaluese. Ajo duhet të shkojë te familja, te nëna dhe fëmija, te të moshuarit, te personat me sëmundje kronike, të identifikojë rrezikun dhe të reagojë para se problemi të shndërrohet në sëmundje serioze.

Por çfarë kemi në realitet?

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në vitin 2024 në të gjithë vendin kishte vetëm 235 infermiere patronazhi. Në vitin 2023 ishin 258.

Pra, në vend që të forcohet shërbimi që duhet të parandalojë sëmundjet, numri i infermiereve është zvogëluar.

Dhe pastaj vjen pjesa më shqetësuese: ndarja territoriale e këtij shërbimi.

Në rajonin shëndetësor të Tetovës janë evidentuar vetëm pesë infermiere patronazhi, që do të thotë rreth 33.479 banorë për një infermiere.

Le ta krahasojmë këtë me standardin e përmendur nga profesionistët: në zonat urbane një infermiere patronazhi duhet të mbulojë rreth 3.000 deri në 5.000 banorë.

Atëherë pyetja është e thjeshtë:

Si mund të flasim për shëndetësi parandaluese kur një infermiere në Tetovë ngarkohet me një numër banorësh që është shumëfish mbi standardin?

Dhe këtu problemi nuk është vetëm Tetova.

Të dhënat tregojnë se dallimet mes rajoneve janë të mëdha. Në Gjevgjeli një infermiere mbulon më shumë se 31 mijë banorë. Në Shkup, megjithëse situata nuk është ideale, raporti në nivel të qytetit është shumë më i ulët se në Tetovë.

Pra, kemi një sistem shëndetësor në të cilin adresa e qytetarit mund të përcaktojë se sa afër apo larg do të jetë kujdesi parandalues.

Kjo nuk duhet të jetë normale.

Nëse shteti thotë se çdo qytetar ka të drejtë për kujdes shëndetësor, atëherë kjo e drejtë nuk mund të jetë vetëm formale. Nuk mund të ekzistojë në dokumente, ndërsa në terren një infermiere duhet të mbulojë dhjetëra mijëra njerëz.

Tetova nuk mund të jetë qytet i barabartë vetëm kur kërkohen taksa, vota dhe detyrime nga qytetarët.

Kur vjen radha e shërbimeve publike, qytetari nuk duhet të pyetet se në cilin rajon jeton.

Nëse standardi është 3.000–5.000 banorë për një infermiere në zonat urbane, atëherë shteti duhet të shpjegojë publikisht:

Pse në Tetovë standardi ekziston në letër, ndërsa realiteti është mbi 33 mijë banorë për një infermiere?

Kush është përgjegjës për këtë?

Ministria e Shëndetësisë?

Institucionet lokale?

Fondet dhe mënyra e organizimit të shërbimeve shëndetësore?

Apo thjesht askush nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë politike?

Sepse është shumë më e lehtë të flasësh për “reforma të mëdha” sesa të sigurosh pesë, dhjetë apo njëzet infermiere më shumë aty ku qytetarët kanë nevojë.

Është shumë më e lehtë të inaugurosh një projekt sesa të organizosh një sistem që çdo ditë duhet të hyjë në shtëpitë e njerëzve.

Dhe problemi bëhet edhe më serioz kur vetë profesionistët paralajmërojnë se një pjesë e stafit është në moshë 50–60 vjeç, ndërsa interesimi i infermiereve të reja për shërbimin patronazh është i ulët për shkak të kushteve të punës, pasigurisë dhe statusit profesional.

Pra, kemi një paradoks:

Shteti thotë se duhet të parandalojmë sëmundjet, por nuk po investon mjaftueshëm te njerëzit që duhet ta bëjnë parandalimin.

Shteti thotë se duhet të zbulojmë sëmundjet herët, por zvogëlon kapacitetin e shërbimit që duhet t’i zbulojë ato herët.

Shteti flet për kujdes shëndetësor të barabartë, ndërsa shifrat tregojnë dallime të mëdha nga një rajon në tjetrin.

Kjo nuk është thjesht çështje administrative.

Kjo është çështje politike.

Sepse aty ku shteti shpërndan në mënyrë të pabarabartë burimet shëndetësore, krijohet edhe pabarazi mes qytetarëve.

Dhe qytetarët e Tetovës kanë të drejtë të pyesin: A jemi qytetarë të barabartë të këtij shteti vetëm në Kushtetutë, apo edhe kur bëhet fjalë për shërbimet konkrete shëndetësore?

Nuk mjafton të thuhet se “ka mungesë të infermiereve”.

Mungesa e stafit është një problem i menaxhimit, i politikave publike dhe i prioriteteve buxhetore.

Nëse mungojnë infermieret, duhet të trajnohen dhe punësohen infermiere të reja.

Nëse kushtet janë të këqija, duhet të përmirësohen.

Nëse profesioni nuk ka kompetenca dhe status të qartë ligjor, duhet të miratohet ligji për profesionin e infermierisë.

Nëse rajonet janë të pabarabarta, duhet të vendosen mekanizma që garantohen standardet minimale për çdo qytetar.

Sepse një sistem shëndetësor serioz nuk matet vetëm me numrin e spitaleve.

Matet edhe me atë se sa shpejt arrin infermierja te dera e qytetarit.

Dhe kur në Tetovë një infermiere duhet të kujdeset për mbi 33 mijë banorë, nuk kemi më të bëjmë me një statistikë.

Kemi një alarm.

Një alarm që Ministria e Shëndetësisë nuk duhet ta dëgjojë vetëm në konferenca për shtyp, por ta dëgjojë në çdo lagje dhe çdo fshat ku qytetarët presin shërbimin që shteti ua ka premtuar.

Shëndetësia parandaluese nuk mund të jetë luks i disa rajoneve.

Ajo duhet të jetë e drejtë e çdo qytetari.

Dhe nëse shteti nuk arrin ta garantojë këtë, atëherë duhet të ketë edhe përgjegjësi politike.

Sepse qytetari nuk sëmuret vetëm në Shkup.

As nevoja për kujdes shëndetësor nuk njeh kufij politikë, partiakë apo rajonalë.…www.tekegrami.mk

Mesut Shabani

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments