Zyra e kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka thënë se forcat e armatosura të vendit janë autorizuar të ndërmarrin “veprime përkatëse” pas sulmeve të Indisë, raporton The Guardian.
India sulmoi Pakistanin dhe Kashmirin pakistanez të mërkurën në mbrëmje, në luftimet më të ashpra midis dy kombeve të armatosura me armë bërthamore për dekada të tëra. Pakistani pretendoi se kishte rrëzuar pesë aeroplanë indianë gjatë sulmit. Zyrtarët e ministrisë indiane të mbrojtjes nuk e kanë konfirmuar shifrën.
India pretendoi se kishte goditur nëntë objektiva që i përshkroi si “infrastrukturë terroriste”.
Sekretari i jashtëm indian Vikram Misri, zyrtari më i lartë në ministrinë e saj të punëve të jashtme, tha në një konferencë se “Inteligjenca dhe monitorimi i moduleve terroriste me bazë në Pakistan treguan se sulme të mëtejshme kundër Indisë ishin të afërta, prandaj ishte e nevojshme të ndërmerreshin sulme parandaluese dhe paraprake”.
Islamabadi tha se gjashtë vende pakistaneze ishin në shënjestër dhe se asnjëra prej tyre nuk ishte kamp militantësh. Të paktën 26 civilë u vranë dhe 46 u plagosën, tha një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze. JeT tha në një deklaratë të mërkurën se 10 të afërm të udhëheqësit të saj Masood Azhar u vranë në një sulm indian.
Policia dhe mjekët indianë kanë thënë se të paktën shtatë civilë u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën nga të shtënat dhe granatimet hakmarrëse pakistaneze gjatë natës.
Sulmi ndezi alarmin në Uashington, ku presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është njoftuar për sulmin dhe shpreson që përleshjet “të përfundojnë shumë shpejt”.
Në Nju Jork, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu shqetësim për sulmin dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje maksimale nga të dyja vendet.
“Bota nuk mund ta përballojë një përplasje ushtarake midis Indisë dhe Pakistanit”, tha Guterres, sipas zëdhënësit të tij.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kontaktoi këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Pakistanit, Asim Malik, i cili është gjithashtu shef i agjencisë kryesore të inteligjencës së Pakistanit, për të diskutuar situatën.
Rubio foli gjithashtu me homologun e tij nga India dhe tha se do të vazhdojë të angazhohet me të dyja vendet për të arritur një zgjidhje për konfliktin.
“Ai po inkurajon Indinë dhe Pakistanin të hapin sërish një kanal komunikimi midis udhëheqësve të tyre për të zbutur situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Brian Hughes, në një deklaratë.
Ushtria indiane goditi gjashtë lokacione në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe në provincën lindore Punjab të Pakistanit – duke i vrarë 26 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë – tha zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Ahmed Sharif.
Zyrtarët thanë se edhe 38 njerëz të tjerë u plagosën nga sulmet, ndërsa pesë njerëz të tjerë u vranë në Pakistan gjatë shkëmbimeve të zjarrit përgjatë kufirit më vonë gjatë ditës.
Ministria e Mbrojtjes e Indisë theksoi se sulmet kishin në shënjestër të paktën nëntë vende “ku janë planifikuar sulme terroriste kundër Indisë”.