Nga dita e hënë, më 13 prill, do të hiqet ora policore e vendosur nga Qeveria e Kosovës, si masë mbrojtëse ndaj virusit COVID-19, raporton “Zëri.info”.
Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që nga 24 marsi të ndalojë qarkullimin e njerëzve dhe të automjeteve. Ndalimi i qarkullimit të qytetarëve dhe të automjeteve fillimisht u bë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në orën 06:00 në mëngjes. Ndërsa nga 28 marsi Qeveria kishte marrë vendim për ndërrimin e orarit të orës policore, me ç’rast u ndalua qarkullimi i qytetarëve dhe i automjeteve private gjatë orës 17:00 deri në orën 06:00.
Me këtë orar do të ndalohet qarkullimi i qytetarëve deri të hënën, pasi Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar të jashtëligjshëm vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes, me ç’rast ka kërkuar që ky vendim të zbatohet deri më 13 prill.
Institucionet në vend janë të obliguara të nxjerrin vendime të reja për kufizimin e lirisë së lëvizjes mbi bazën e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kufizimi i lëvizjes është parë si masë e rëndësishme për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri në vend, andaj edhe Ministria e Shëndetësisë pritet të marrë veprime tjera si masë mbrojtëse.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, disa herë ka kërkuar nga qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, pasi që tri javët e ardhshme janë vendimtare sa i përket përhapjes së virusit.
Ndërsa edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka apeluar te qytetarët që të respektojnë rekomandimet e Institutit lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, derisa ka thënë se kufizimi i lëvizjes duhet të vazhdojë edhe më tej. /Zëri.