Sipas një hulumtimi të fundit, 64% e të anketuarve në Kosovë besojnë se BE-ja dhe EULEX-i janë të anshëm. Sipas të njëjtës anketë, vetëm 42% kanë qëndrim pozitiv për BE-në.
Në një kohë që 94% e të anketuarve thonë se janë të kënaqur me punën e NATO-s. Cameron Mailhot, autor i hulumtimit me 1600 banorë të Kosovës, i cili është duke kryer studimet e doktoraturës në Universitetin Cornell në Nju Jork, thotë se mes shqiptarëve vihet re një ndjenjë se BE-ja ka pritje pro-serbe.
“Pyetësori nuk kishte pyetje konkrete nëse BE-ja është anti-shqiptare apo pro-serbe, por të dhënat flasin për pakënaqësi në rritje në Kosovë ndaj BE-së, misionit të saj EULEX-it dhe kjo viher re lehtësisht me mënyrën se si shprehën njerëzit atje. Për shembull në Kosovë sheh parulla gjithandej si ajo që thotë se EULEX-i është prodhim i Serbisë”, thotë zoti Mailhot.
Përpos tij, edhe një hulumtim i Institutit Republikan Ndërkombëtar, i publikuar në fillim të këtij viti, tregon se për dallim nga viti 2020, kur 85% e të anketuarve kanë thënë se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë vetëm pro BE-së dhe perëndimit, në vitin 2022, kjo shifër ka rënë në 77%.
Viti 2020 – 85% e të anketuarve kanë thënë se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë vetëm pro BE-së dhe perëndimit, në vitin 2022 kjo ka rënë në 77%
Ish Drejtori për Ballkanin Perëndimor tek Komisioni Evropian, nga viti 2006 deri më 2013, Pierre Mirel, thotë se një nga arsyet e qarta është mosnjohja e Kosovës nga pesë vende të BE-së: Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.
“Banorët në Kosovë mendojnë se fakti që 5 vende nuk e njohin Kosovën, kjo e bën BE-në të anshme ndaj Serbisë në shumë çështje. Këto 5 vende thonë që do ta ndryshonin qëndrimin nëse Sërbia do ta njihte Kosovës”, tha Pierre Mirel, ish Drejtor për Ballkanin tek Komisioni Evropian.
Ky perceptim në Kosovë ushqehet edhe më tej nga fakti se dy zyrtartët e lartë të BE-së, që drejtojnë sot dialogun me Serbinë, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, vijnë nga qeveri që nuk e kanë njohur Kosovën. Por zoti Mirel thotë se kjo nuk është e drejtë.
“Ndoshta kjo është përshtypja e popullit të Kosovës, por është e gabuar. Të marrim rastin tim, kur punoja në Komisionin Evropian. Unë jam francez dhe në rastin ta zëmë, kur autoritetet franceze kanë pasur vështirësi në lidhje me njëren apo tjetrën çështje në Ballkan, atëherë roli im, apo detyra ime ishte që të flisja me ta dhe të bëja përpjekje ppër të gjetur një zgjidhje”, thotë për Zërin e Amerikës Pierre Mirel.
“Dhe, nëse dështoja, kjo padyshim nuk kishte të bënte me faktin që unë jam francez. Nga pervoja ime ju them që kjo nuk ka ndikim.”
Profesori i Universitetit Georgetown në Uashington, Elton Skëndaj thotë se arsyeja për paknaqësinë ndaj BE-së në Kosovë, është mënyra se si funksionon EULEX-i.
EULEX-i mbetet neutral ndonëse duhet të punojë me vetë ato institucione, që përbëjnë bazën e shtetit të pavarur të Kosovës”
“EULEX-i mbetet neutral ndaj statusit të Kosovës, ndonëse këtu ekziston një paradoks, që edhe studiuesit e kanë parasysh: EULEX-i duhet të punojë me vetë ato institucione, që përbëjnë bazën e shtetit të pavarur të Kosovës. Mendoj se kjo paqartësi përplaset me qëllimet dhe dëshirat e popullatës shqiptare të Kosovës”, tha për Zërin e Amerikës, Elton Skëndaj dhe shton se paknaqësia në Kosovë me EULEX-in rritet edhe nga pritjet e mëdha që banorët kanë pasur në zgjidhjen e problemeve të trasheguara nga misioni i OKB-së, UNMIK-u, lidhur me sundimin e ligjit dhe trajtimin e krimeve të luftës.
Shumë zyrtarë të lartë në Kosovë nuk e kanë fshehur dëshirën që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol më të madh, për të arritur një zgjidhje përfundimtare me Serbinë. Kjo pasqyron në një farë mënyre mungesën e besimit tek BE-ja, si ndërmjetësuese.
“BE-ja luan rol vërtetë të rëndësishëm si ndërmjetësues në Kosovë në raport me lidhjet me Serbinë dhe në raport me komunitetin ndërkombëtar. Pra, që të ketë mundësi ta luajë rolin e ndërmjetësit, ka rëndësi mënyra se si e shohin njerëzit në atë vend rolin e saj dhe nëse e konsiderojnë atë si aktor të anshëm apo të paanshëm. Kjo ka rëndësi, pasi ekziston një grup i madh banorësh, që e shohin si të anshme dhe dy-të-tretat nuk është një grup i vogël”, vlerëson autori i hulumtimit Cameron Mailhott.
Por, për ish Drejtorin për Ballkanin Perëndimor tek Komisioni Evropian, Pierre Mirel ka arsye për optimizëm.
“Deri më tani BE-ja nuk ka kërkuar njohje. BE-ja thotë që Serbia duhet të pranojë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Kosovën, që do të lejonte normalizim të plotë të marrëdhënieve. Nëse kjo do të ndodhë dhe nuk ndodhë njohja, atëherë unë nuk mendoj që Serbisë do të lejohej t’i bashkohej BE-së”, tha për Zërin e Amerikës zoti Mirel.
Ai kujton se vendi më me ndikim në BE, Gjermania së fundmi e bëri të qartë se njohja do të ishte rruga e Serbisë drejtë anëtarësimit.
Nuk mund të mendohet që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen anëtarë të BE-së
“Është e qartë se një marrëveshje përfundimtare duhet të sqarojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse nuk mund të mendohet që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen anëtarë të BE-së”, tha zoti Scholz gjatë qëndrimit në Prishtinë më 10 qershor.