7.3 C
Tetovo
E martë, 23 Prill, 2024
BallinaLajmeBotaKoronavirusi dhe pasojat në normalitetin e ri

Koronavirusi dhe pasojat në normalitetin e ri

Fshehim fytyrat pas maskave, nuk ua zgjasim duart të tjerëve dhe shmangemi njëri-tjetrin.

Në luftën kundër virusit korona shumë rregulla të jetesës kanë ndryshuar.

A po i sakrifikojnë shtetet liritë e qytetarëve? Sa më tepër janë në fuqi masat për të kufizuar pandeminë, aq më shumë po shtohen në Gjermani zërat se sa të justifikuara janë ato dhe frika se këto masa ekstreme mund të çojnë në gërryerjen e shtetit ligjor. E vetmja gjë që është e sigurt, është se koronavirusi mund të ketë pasoja fatale dhe se po përhapet edhe më tepër, ndërsa zbulimi i ndonjë vaksine kërkon shumë kohë.

Organet legjislative dhe gjyqësori duhet të jenë vigjilentë

Peshkopi katolik i Esenit, Franz-Josef Overbeck, ka thënë gjatë një interviste për “Deutsche Wellen” se shteti duhet të përdorë instrumentet e tij në të mirë të mbrojtjes së popullsisë, por “organet legjislative dhe juridike duhet të jenë vigjilente që politika ta ketë të qartë se kur duhen shfuqizuar masat kufizuese”. Por, sipas tij, institucionet demokratike në Gjermani vazhdojnë të funksionojnë edhe në kohë krize.

Edhe kryetari i Këshillit të Kishës Protestante-Luteriane, Heinrich Bedford-Strohm, në një intervistë për “Bayerischer Rundfunk” tha se vendimmarrësit në Gjermani po punojnë me përgjegjësi.

Selmin Çalışkan, drejtoreshë për marrëdhëniet institucionale pranë zyrës së Berlinit të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, të themeluar nga hungarezi, George Soros, ka thënë se gjermanët në shkallë të gjerë po i pranojnë kufizimet e lirive qytetare, porse “për të gjitha kufizimet e të drejtat themelore duhet të përcaktohet një datë e qartë, se kur do të shfuqizohen”. Fondacioni Soros mbështet në Gjermani disa organizata që merren me të drejtat e njeriut dhe të mediave. Por me fondet e projektit financohet edhe OJQ-ja “Rrjeti i Argjendtë” në Berlin, që ofron në gjuhë të ndryshme këshillime telefonike për të moshuarit ose njerëzit në nevojë.

A është Gjermania shembullore në përballimin e krizës?

Selmin Çalışkan, e cila më parë ka qenë sekretare e përgjithshme e “Amnesty International” për Gjermaninë, thotë se bie në sy fakti se shteti po jep ndihma të mëdha për ekonominë, për sipërmarrësit, për pronarët e bizneseve të vogla ose për sektorin e shëndetësisë, por nuk e ka marrë në konsideratë sektorin e shoqërisë civile.

Çalışkan thotë se në sektorin e shoqërisë civile në Gjermani janë të punësuar rreth katër milionë persona dhe kontribuojnë dhe rreth 600.000 vullnetarë.

Politologu Alexander Carius ka thënë se shumë prej tyre, sikurse edhe infermierët apo shitësit në supermarkete, punojnë në kushte të vështira dhe marrin paga të ulëta. Sipas tij, në Gjermani hendeku mes familjeve me të ardhura të larta dhe familjeve të varfra që kanë vështirësi masive për të mbijetuar po vazhdon të thellohet.

A do të ketë kthim në normalitet?

Politologu Carius nuk beson se Gjermania do të kthehet pas krizës në normalitetin që ekzistonte para saj.

“Do të na duhet të ripërcaktojmë se ç’është normale”, ka thënë Carius. Në të ardhmen shumë nga gjërat që i konsideronim normale në jetën tonë para krizës – konsumi i mallrave, mundësia për të udhëtuar në vende dhe qytete të tjera – nuk do të jenë më të mundshme në këtë masë.

Sipas Cariusit, kriza ia jep mundësinë Gjermanisë që të bëhet “më solidare, më e drejtë, të tregojë më tepër kujdes ndaj mjedisit dhe klimës, të jetë më e përgatitur për të përballuar rreziqet e jashtme, qofshin ato të lidhura me klimën, pandemi, apo kriza masive ekonomike dhe financiare”. “Sidomos, koha e krizës lejon një ndryshim të drejtimit”, ka shtuar ai

Çalışkan thotë se infermierët apo kujdestaret e kopshteve dhe të çerdheve duhet të paguhen më mirë dhe të kenë kushte më të mira pune, sepse vënë jetën në rrezik. Ajo kërkon edhe kushte më të mira për të pastrehët dhe refugjatët.

Cariusi thotë se politika duhet të shfrytëzojë rastin për një transformim socialo-ekonomik dhe për ristrukturimin e sektorëve që synon të mbështesë, si ai i automobilave dhe i energjisë. Sipas tij, këto transformime nuk do të ndodhin pa konflikte. Ai parashikon “luftëra masive për shpërndarjen dhe rishpërndarjen e pasurisë dhe të të ardhurave, si në nivel global edhe kombëtar”.

Peshkopi Overbeck thotë se momentalisht mjedisi dhe aspektet ekologjike po luajnë një rol të dorës së dytë, sepse fokusi është përqendruar tek ekonomia. Krahas aspekteve ekologjike, sipas tij, duhen diskutuar edhe aspektet sociale, si drejtësia mes brezave. Gjithsesi, peshkopi nuk mendon se pandemia e koronavirusit është ndonjë ndëshkim nga Zoti.koha.net

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments