Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un u takua me Presidentin rus Vladimir Putin mëngjesin e sotëm në skajin me lindor të Rusisë për bisedime që Uashingtoni dyshon se do të përfshijë bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes.
“Më vjen mirë që ju shoh”, tha Putin ndërsa i shtrëngoi dorën homologut koreano-verior për rreth 40 sekonda, duke e mirëpritur atë në Kosmodromin Vostochny. Kim Jong Un falënderoi Putin për ftesën dhe për ngrohtësinë e pritjes së tij.
Bashkimi Sovjetik luajti një rol shumë të madh në çlirimin e vendit tonë. Miqësia jonë ka rrënjë të thella dhe tani marrëdhëniet me Federatën Ruse janë prioriteti i parë për vendin tonë, jam i sigurt se takimi ynë do të jetë hapi i radhës për t’i çuar marrëdhëniet në një nivel të ri. Rusia është ngritur në një luftë të shenjtë për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e saj kundër forcave hegjemoniste”, i tha Kim Jong Un presidentit rus. “Koreja e Veriut mbështet të gjitha vendimet e Putinit”, shtoi lideri komunist.
Dyshohet se të dy po takohen për të finalizuar një marrëveshje armësh ku Pheniani mund të furnizoje me municion Moskën për pushtimin e saj në Ukrainë.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se bisedimet janë të rëndësishme duke marrë parasysh ndryshimet gjeopolitike në botë.
“Kontaktet dypalëshe janë shumë të rëndësishme. Dhe situata në Gadishullin Korean është, natyrisht, e një rëndësie të madhe për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, citoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA të thoshte zëdhënësja e ministrisë se jashtme ruse.