15 për qind e kompanive private që kanë licenca për ndërtimin, projektimin dhe mbikëqyrjen e objekteve të kategorisë A dhe B nuk plotësojnë kërkesat e funksionimit dhe u është hequr licenca. Kështu ka bërë të ditur ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski. Ai tha se në ditët e fundit Ministria ka bërë auditimin e licencave të lëshuara, në përputhje me Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Urbanizëm.
Nikoloski tha se ligjet ekzistuese nuk janë të mira dhe përmbajnë paqartësi, prandaj do të pasojnë ndryshime ligjore. Në të ardhmen, licencat do të duhet të kontrollohen çdo 6 muaj.
Për diskotekën “Puls” në Koçan, Nikoloski tha se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk ka juridiksion sepse është objekt i kategorisë B, ndërsa sipas ligjit të decentralizimit, Ministria ka juridiksion vetëm për objektet e kategorisë A.
Ndërkohë që ka vijuar inspektimi i objekteve hotelierike, ditën e djeshme nga 82 kontrolle të kryera është konstatuar se 13 objekte hotelierike nuk plotësojnë kushtet minimale të funksionimit. Siç ka paralajmëruar zëdhënësja e qeverisë, këtyre personave juridikë do t’u hiqet licenca dhe do t’u ndalohet të ushtrojnë veprimtari./Alsat.mk