Pas deklaratës së Mickoskit, Komuna e Gostivarit ka publikuar një reagim zyrtar, duke e cilësuar qëndrimin e kryeministrit si rezultat të keqinformimit mbi procedurat ligjore.
Sipas Komunës, miratimi i dy Planeve Detale Urbanistike është zhvilluar në përputhje të plotë me nenin 38, paragrafi 2 të Ligjit për planifikim urbanistik. Në dokument thuhet se Ministria e Transportit ka një afat 20-ditor për të dhënë pëlqim ose për të paraqitur vërejtjet. Nëse Ministria nuk vepron brenda këtij afati, kryetari i komunës e dërgon planin në Kuvendin Komunal, i cili e shqyrton dhe vendos në seancën e parë të radhës.
Komuna thekson se planet janë miratuar më 2 gusht 2025 me votat e të gjithë këshilltarëve, përfshirë edhe ata nga VMRO-DPMNE, gjë që dëshmon sipas saj se procesi ka qenë i rregullt dhe transparent.
Për më tepër, për dy planet janë kryer dy inspektime nga Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, të cilat kanë konfirmuar se miratimi është bërë plotësisht në përputhje me ligjin, pa asnjë vërejtje ose shkelje.
“Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të plotë të ligjit. Nuk ka vend për interpretime të pasakta apo tendencioze,” thuhet në reagim.
