Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KPMD) inicoi procedurë për mbrojtje nga diskriminimi i grupit religjioz “Lev Tahor”. Lënda, siç kumtuan nga Komisioni, zhvillohet në bazë të prejardhjes, bindjes religjioze dhe fetare në fushën e qasjes drejt të mirave dhe shërbimeve.
Nga Komisioni theksojnë se procedura është inicuar në pajtim me nenin 21 paragrafi 1 nga Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KPMD), ndërkaq duke pasur parasysh atë që bëhet fjalë për baza të shumëfishta, ky rast udhëhiqet sipas nenit 13 të KPMD-së, si formë më e rëndë e diskriminimit.
KPMD kumtoi se tashmë është kryer kontroll dhe realizuar takim me përfaqësuesin e grupit “Lev Tahor” dhe konstatoi disa shkelje të Ligjit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi nga ana e personave zyrtarë dhe juridikë nga shteti ynë.
KPMD, siç ceket në kumtesë, i ndoqi edhe raportimet në mediume, si dhe paraqitjet e organizatave joqeveritare me rastin e ngjarjeve në Kumanovë, ndërsa pas kontrollit, konstatoi se fillimisht nuk ka pasur sulm fizik nga qytetarët ndaj grupit, por informata e rrejshme është përhapur nga ana e mediumeve.
Komisioni konsideron se disa mediume të caktuara para se të plasojnë lajm, të bëjnë hulumtimin e vet, me çka do të parandalojnë përhapjen e lajmeve të rrejshme për natyrën e grupit dhe për ngjarjet në Kumanovë. Nga Komisioni potencojnë se me informatat e pakontrolluara plotësisht e dëmtojnë grupin, gabimisht e informojnë opinionin dhe i përforcojnë praktikat diskriminuese në shoqërinë tonë.
KPMD kumtoi se do të vazhdojë ta ndjekë rastin dhe do ta informojë opinionin për epilogun e procedurës.