Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në kuadër të fushatës parazgjedhore me moton “Tash është koha” e hapi shtabin komunal në Kërçovë.
Kryetari i ASH-së Ziadin Sela nga Kalaja në Kërçovë tha se ata nuk do t’i largojnë administratorët nga puna, por do t’i shpërndajnë në vendet e tyre adekuate të punës, transmeton aktuale.mk
“Ju si banorë të Kërçovës u përballët me dëshpërim, ne e mbështetëm kandidatin shqiptar në Kërçovë, përderisa ata në Strugë u bashkuan që të na fitojnë, por shqiptarët i kuptuan këto manipulime. Ne do t’i realizojmë ëndrrat reale dhe origjinale të shqiptarëve. Ne do t’i kthejmë vendet e punës te shqiptarët të cilëve ua morëm. Ne do t’i japim fund vjedhjes së parave nga populli. Ne do të bëjmë gjithçka që tatimet tuaja të mbesin në nivel lokal në Kërçovë. Nuk do të lejojmë që djersa e shqiptarëve të shkojë te disa individë. Më 15 korrik të bindur në fitore nisemi nga Kërçova, por edhe nga Haraçina sepse ne jemi zgjedhja e vërtetë për shqiptarët”, tha Sela.
Para kërçovarëve foli edhe Surija Rashidi, bartës i njësisë së pestë zgjedhore dhe Remzi Mehmedi, kandidat për deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore, të cilët e theksuan bindjen e tyre për fitore në koalicionin e tyre në zgjedhjet parlamentare të caktuara për më 15 korrik.