11.8 C
Tetovo
E premte, 29 Mars, 2024
BallinaLajmeKJO ËSHTË PAKOJA EMERGJENTE FISKALE E QEVERISË, JA KUSH JANË PËRFITUESIT

KJO ËSHTË PAKOJA EMERGJENTE FISKALE E QEVERISË, JA KUSH JANË PËRFITUESIT

Ministria e Financave dhe Transfereve ka marrë vendime në pakon e masave emergjente që Qeveria e Republikës së Kosovës ka përgatitur si hap të parë  adresimin e problemeve ekonomike të rezultuara nga pandemia, janë përfshirë veprime dhe intervenime që kanë për synim ndihmesën imediate për qytetarët tanë në ato role apo funksione që ata janë dëmtuar nga pandemia (si përfitues të skemave sociale nga shteti, konsumatorë, punëmarrës, qiramarrës apo punëdhënës).

“Synimi i masave nuk është dhe as nuk mund të jetë kompensimi i të gjitha efekteve negative, meqë diçka e tillë është e pamundur kur aktiviteti ekonomik në nivelin agregat shënon rënie, por orientohet drejt minimizimit të dëmeve të shkaktuara”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, përcjellë Indeksonline.

Më poshtë gjeni kompozimin e pakos emergjente të qeverisë:

  1. Fokusi i parë i masave të qeverisë shkon drejt përfituesve të skemave sociale, të cilët me shumë vështirësi sigurojnë mbijetesën dhe kryesisht janë të përfshirë në grupin e shoqërisë që përballen me varfëri ekstreme. Në muajin mars, diku 98.100 qytetarë të vendit të përfshirë në këtë skemë, kanë marrë një asistencë shtesë mujore, që në tërësi kap vlerën e 2.55 milionë euro. Ngjashëm do të veprohet edhe në dy muajt në vijim, duke e ngritur vlerën e intervenimit në 7.6 milionë euro.
  2. Një numër i madh i përfituesve të skemave pensionale, përfitojnë në baza mujore më pak se 100 euro. Për të gjithë këta përfitues, qeveria e Republikës së Kosovës, në 3 muajt në vijim do të ndaj 30 euro shtesë në baza mujore. Në këtë grup hyjnë kryesisht përfituesit e skemës së pensioneve bazike, pensionet për persona me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e pensioneve familjare (të gjitha këto kategori përfitojnë nga ky vendim, vetëm nëse nuk janë njëkohësisht pjesë e më shumë se një skeme pensionale nga e cila marrin të hyra të rregullta). Po ashtu do të përfshihen përkohësisht në skema dhe do të përfitojnë të gjithë ata të cilët nuk kanë arritur të rinovojnë pretendimet e tyre në dy muajt e parë të vitit 2020. Kjo nënkupton në total 13 milionë euro shtesë.
  3. Një numër i kompanive të vendit ka shënuar rënie të të hyrave nga ushtrimi i veprimtarisë në dy javët e fundit, dhe një trend i tillë pritet të vazhdojë edhe në muajin prill. Si rrjedhojë, punëdhënësit pritet të kenë vështirësi në mbulimin e një sërë shpenzimesh. Disa nga shpenzimet e pritshme dhe me rëndësi në bilancet e kompanive përbëjnë shlyerjen e obligimeve tatimore dhe detyrimeve ndaj sistemit bankar. Me vendime të Qeverisë dhe Bankës Qendrore, këto shpenzime janë shtyrë për një periudhë të caktuar kohore.

Por mbeten ende si barrë shpenzimet për paga dhe ato për qera, në rastet kur operatorët ekonomik veprojnë në objekte që nuk i kanë në pronësi. Qeveria e Kosovës do të mbështetë me pakon emergjente, komunitetin e biznesit më së shumti në këto dy komponente. Për ato kompani që kanë shënuar rënie të veprimtarisë së tyre si rezultat i masave të qeverisë ose janë detyruar të mbajnë stafin e tyre në shtëpi, qeveria ka vendosur që të asistojë me këto tri ndërhyrje:

  1. Mbulimin e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e ardhshëm deri në maksimumin e 41 milionë eurove;
  2. Subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove;
  3. Për punëtorët e ndikuar dhe që përfitojnë nga pika “a”, qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm, në masën e 8 milionë eurove.
  4. Kompanitë që kanë shënuar rënie të përkohshme të të hyrave të rregullta si rezultat i kufizimeve në lirinë e lëvizjes, pezullimit të ofrimit të disa shërbimeve nga sektori publik apo deklarimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve qeveritar (kryesisht, por jo vetëm, ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbimet komunale apo ndërmarrjet në pronësi private por që ofrojnë shërbime bazike), mund të kërkojnë likuiditet të përkohshëm nga qeveria në masën e nevojshme për të mbajtur operimin e rregullt të veprimtarisë, shumë këtë të cilën janë të detyruar t’ia kthejnë shtetit pas stabilizimit të operimit, por jo më larg se deri në fund të dhjetorit të vitit 2020. Në këtë masë, qeveria alokon 20 milionë euro, dhe mjetet e alokuara bartin zero interes vjetor.
  5. Në përballjen me pandeminë, një barrë e madhe organizative ka rënë edhe mbi pushtetin lokal. Në masë të madhe, komunat kanë akomoduar nevojën e intervenimeve shtesë dhe emergjente, përmes përshtatjeve të brendshme buxhetore dhe zvogëlimit të mjeteve të dedikuara për shpenzime kapitale. Në rast të zgjatjes së mëtejme të kufizimeve në lirinë e lëvizjes dhe zgjerimit eventual të kufizimeve, komunat do të kenë nevojë për mbështetje shtesë financiare. Në këtë kontekst, Qeveria do të sigurojë financim shtesë për komunat më të prekura në masën e 10 milionë eurove.
  6. Secili nga ne është përpjekur që duke respektuar vendimet e qeverisë të ndihmojë në minimizimin e ndikimit nga virusi Corona. Megjithatë, pa asnjë dyshim, në front të parë të përpjekjeve tona janë stafi mjekësor dhe ai i policisë e zjarrfikësve. Secili nga ne e vlerëson në maksimum angazhimin e tyre të pashembullt, kurse Qeveria e Republikës së Kosovës për këto kategori të nëpunësve publik do të ndajë një shpërblim shtesë në masën fikse prej 300 eurove për secilin nga dy muajt në vijim. Për këtë qëllim do të ndahen 15 milionë euro.
  7. Përkundër faktit që masat e qeverisë për mbajtjen e distancës fizike kanë synuar parandalimin e shpërndarjes së infeksionit, kanë qenë punëmarrësit e marketeve ushqimore, furrave dhe farmacive që kanë punuar rregullisht duke siguruar furnizim të amvisërive me nevojat ushqimore dhe shëndetësore. Për të gjithë këta punonjës, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndaj nga një pagesë shtesë në masën e 100 eurove për dy muajt në vijim. Për këtë masë do të ndahen 3 milionë euro.
  8. Qeveria e Kosovës, në fazën e dytë të intervenimit në ekonomi do të përdorë stimuj fiskal që do të favorizojnë ato kompani që kanë ruajtur fuqinë punëtore në këtë periudhë të krizës, që fillojnë prodhimin e produkteve të reja apo që rrisin eksportet. Por megjithatë në këtë situatë mund të ketë ndërmarrje që nuk mund ta evitojnë largimin e një pjese të punëtorëve nga puna. Për ata punëmarrës që humbin punën përgjatë kësaj periudhe, Qeveria e Kosovës merr përsipër pagesën e një asistence mujore në masën e 130 euro për 3 muajt e ardhshëm. Maksimumi i shumës së alokuar në këtë masë do të jetë 4 milionë euro.
  9.  Ka evidencë që masat për parandalimin e COVID-19 në mënyrë mbi proporcionale kanë goditur një pjesë të komuniteteve pakicë. Qeveria e Republikës së Kosovës ndanë një shumë prej 2 milionë eurosh për iniciativa dhe projekte që targetojnë përmirësimin e kushteve të minoriteteve që janë goditur më shumë nga pandemia.
  10. Një pjesë shumë e madhe e ndërmarrjeve të vendit përbëhet nga mikro-kompanitë dhe të vetëpunësuarit. Me qëllim të tejkalimit të fytit të ngushtë financiar, qeveria do të përpilojë një pako përmes së cilës këto kompani mund të sigurojnë likuiditet financiar (për një periudhë maksimale prej 24 muajsh, dhe shumë maksimale prej 10.000 eurosh), me ç’rast Qeveria do të merr përsipër mbulimin e kostos së kredisë. Për këtë masë do të ndahen 15 milionë euro.
  11. Pandemia COVID-19 ka nxjerrë në pah edhe domosdoshmërinë e rritjes së prodhimit bujqësor brenda vendit. Për të inkurajuar shtimin e kapaciteteve të shfrytëzuara brenda vendit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të rrisë buxhetin për grante dhe subvencione në Ministrinë e Bujqësisë për 5 milionë euro.
  12. Masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë goditur rëndë edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe artistike. Për të ndihmuar këto kategori, do të rritet për 5 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit.
  13. Menjëherë pas përfundimit të pandemisë, vendi do të ketë nevojë shumë edhe për rritjen e nivelit të eksporteve. Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të sigurojë 10 milionë euro për mbështetje të eksportuesve, të cilët do të përfitojnë në raport me shtimin e vëllimit të tyre të eksporteve.

Shuma e përgjithshme e kësaj pakoje emergjente arrin në 170.6 milionë euro.

Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave është duke punuar intenzivisht në gjetjen e burimeve shtesë të financimit. Përveç alokimit fillestar të shumës prej 10 milionë eurosh për Ministrinë e Shëndetësisë, është duke u negociuar edhe financim shtesë nga Banka Botërore (deri në masën e 70 milionë eurove). Po ashtu është dorëzuar kërkesa në FMN për kredimarrje nga instrumenti i shpejtë financiar në masën e 52 milionë eurosh; është kërkuar kredi në shumën e 35 milionë eurove nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës; është dërguar kërkesë zyrtare për mbështetje në Ministrinë Gjermane Për Zhvillim e Bashkëpunim; dhe është premtuar mbështetje edhe nga Bashkimi Evropian.

Krejt në fund Qeveria e Republikës së Kosovës dëshiron të sigurojë secilin qytetar që është duke bërë maksimumin e saj për të mbajtur nën kontroll si dëmtimin e shëndetit të qytetarëve ashtu edhe atë të ekonomisë./Insajderi

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments