Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup deri tek Gjykata Themelore Penale – Shkup ka dorëzuar propozim për përcaktim të masës së kujdesit për një person, të dyshuar se ka kryer vepër penale denoncim të rremë për bombë të vendosur në qendrën tregtare “City Mall”.
Kundër të dyshuarit, kumtuan sot nga Prokuroria Themelore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, është ngritur procedurë për shkak të dyshimit se më 29 janar në “City Mall” ku ka qenë i punësuar, ka denoncuar se është kryer vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” për të cilën përndjekja merret me detyrë zyrtare, edhe pse e ka ditur se një vepër e tillë nuk është kryer.
Prokurori publik, ka kërkuar nga personi t’i caktohen katër masa kujdesi: ndalesë për largim nga vendbanimi, të paraqitet tek një person i autorizuar ose tek organi kompetent shtetëror, marrje e përkohshme e dokumenteve për kalim të kufirit shtetëror, si dhe ndalim për ndërmarrje të aktiviteteve të caktuara të punës që janë të ndërlidhura me veprën penale.
I dyshuari 19-vjeçar ka qenë i punësuar në qendrën tregtare përmes agjencisë të angazhuar për sigurim të objektit. Nga celulari i tij ka hyrë në internet faqen www.globefone.com dhe shefit të tij i ka dërguar mesazh me përmbajtjen tekstuale: Lëshojeni mollin menjëherë, ka bombë”. Shefi i tij e ka njoftuar policinë, pas së cilës është organizuar dhe kryer evakuim i personave të pranishëm në qendër. Në të njëjtën kohë është angazhuar edhe një ekip nga Sektori për antiterrorizëm në MPB të cilët kanë vërtetuar se në objekt nuk ka mjet shpërthyes të vendosur”, sqarojnë nga PP shtetërore.