Pas dhjetë orësh diskutimesh, Kabineti i Sigurisë miratoi propozimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të pushtuar qytetin e Gazës. Kjo është bërë e ditur nga mediat ndërkombëtare duke cituar një zyrtar të lartë izraelit.
Që nga fillimi i luftës, IDF ka shmangur hyrjen në pjesën më të madhe të qytetit. Operacioni do të kërkojë evakuimin e zonës ku aktualisht jetojnë afërsisht një milion banorë të Rripit.
“Kabineti Politik dhe i Sigurisë miratoi propozimin e kryeministrit për mposhtjen e Hamasit. IDF do të përgatitet të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, duke ofruar ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit. Një shumicë absolute e ministrave të kabinetit besonin se plani alternativ i paraqitur nuk do të çonte as në mposhtjen e Hamasit dhe as në kthimin e pengjeve”, njoftoi zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Deklarata e lëshuar në përfundim të takimit thotë se “Kabineti i Sigurisë miratoi me shumicë dërrmuese pesë parimet për përfundimin e luftës: çmontimin e arsenalit të Hamasit; kthimin e të gjithë pengjeve, si të gjallëve ashtu edhe të vdekurve; demilitarizimin e Rripit të Gazës; kontrollin e sigurisë izraelite mbi Rripin; dhe krijimin e një administrate civile alternative, as të Hamasit dhe as të Autoritetit Palestinez”.
Një zyrtar i lartë izraelit theksoi se “operacioni që IDF do të përgatisë ka të bëjë vetëm me qytetin e Gazës: qëllimi është evakuimi i të gjithë banorëve të qytetit në kampet qendrore të refugjatëve dhe zona të tjera deri më 7 tetor 2025 (përvjetori i dytë i masakrës së Hamasit në Izraelin jugor).” Do të vendoset një rrethim mbi terroristët e mbetur në zonë dhe ndërkohë, ushtria do të manovrojë brenda qytetit,” raportoi Channel 12, duke shtuar se kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes Israel Katz ishin të autorizuar të miratonin planin përfundimtar operativ të IDF.
Gjatë takimit, Shefi i Shtabit Eyal Zamir shprehu kundërshtim ndaj planit : “Nuk ka përgjigje humanitare për 1 milion njerëz që do të zhvendosim në Gaza. E gjitha do të jetë jashtëzakonisht komplekse. Unë propozoj heqjen e objektivit të kthimit të pengjeve nga objektivat e luftës”.
Përpara votimit të kabinetit protesta shpërthyen në disa qytete izraelite, dhe familjet e pengjeve në Gaza e kritikuan ashpër zgjerimin e propozuar të luftës si një “dënim me vdekje”.
Sipas OKB-së, ka pasur një rritje të kequshqyerjes midis fëmijëve të Gazës, pasi vetëm një sasi e vogël ndihmash po hyn në Rrip.