Ja mënyra ‘e zgjuar’ se si SHBA-ja synon t’ia kalojë Rusisë dhe Kinës në garën e diplomacisë së vaksinave!

45

Nga Kerry Boyd Anderson / “Arab News”

Shtetet e Bashkuara mund t’i jenë bashkuar me vonesë garës së“diplomacisë së vaksinave”, por ato po përpiqen që t’ia kalojnë Rusisë dhe Kinës, të cilat në fillim patën një vrull dukshëm më të madh sesa vendet e tjera.

Për shkak të fokusimit të vaksinimit më parë të popullsisë së saj, fushata e brendshme e vaksinimit në SHBA ka qenë mjaft e suksesshme, me 48 për qind të amerikanëve që janë tani plotësisht të vaksinuar. Shumica e amerikanëve që donin të vaksinoheshin kundër Covid-19 kanë marrë tashmë dozat e tyre.

Tani fushata është zhvendosur në kryerjen e testeve klinike për fëmijët, dhe tek përpjekja për të bindur amerikanët që hezitojnë të vaksinohen. Ky progres i ka dhënë mundësi SHBA-së që të nisë të përqendrohet më shumë në ndihmën ndaj vendeve të tjera për të luftuar pandeminë.

Kur presidenti amerikan Joe Biden mori detyrën në janar të këtij viti, ekipi i tij ishte në dijeni të kritikave se SHBA-ja nuk po bënte sa duhej për të ndihmuar përpjekjet globale për të luftuar pandeminë.

Biden ndërmori një hap fillestar në shkurt, kur ai premtoi 4 miliardë dollarë për COVAX, organizata shumëpalëshe e krijuar për të siguruar qasje të barabartë tek vaksinat kundër Covid-19. Pastaj në mars, Uashingtoni njoftoi se do t’i dërgonte Meksikës dhe Kanadasë4 milionë doza të vaksinës AstraZeneca.

Ndërkohë në prill, administrata njoftoi planet për të ndarë 60 milionë doza të vaksinës së AstraZeneca me vendet e tjera, pasi entet rregullatore amerikane ta miratonin atë. Ato hapa fillestarë ishin relativisht të vegjël, sidomos në kushtet kur Rusia dhe Kina po dërgonin vaksinat e tyre në shumë vende, megjithëse programet e tyre të brendshme po ecnin shumë ngadalë.

Gjithsesi, gjatë javëve të fundit, SHBA-ja po angazhohet në sigurimin e vaksinave në vendet anembanë botës. Ndryshimi i qasjes nisi me njoftimin se do të dhuronte 80 milionë doza brenda kësaj vere nga rezervat e saj të vaksinave.

75 për qind e atyre dozave do të shkojnë për COVAX, për t’u shpërndarë në vendet e Amerikës Jugore dhe Qendrore, Azi dhe Afrikë. SHBA-ja do të dërgojë pjesën e mbetur në vende të veçanta, si Meksika fqinje dhe Kanadaja, Haiti, Koreja e Jugut, Afganistani dhe disa vende të tjera në Azi, Evropën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Po ashtu, Biden e shoqëroi atë hap me një tjetër njoftim në qershor, duke deklaruar se qeveria amerikane do të blinte 500 milionë doza të vaksinës Pfizer për t’ua dhuruar gjithë vendeve të botës. SHBA-ja do të bashkëpunojë me COVAX për shpërndarjen e këtyre dozave.

Po ashtu Biden po mbështet përpjekjet për të zgjeruar prodhimin e vaksinave në vendet e tjera, teksa ka përkrahur edhe idenë e diskutueshme të anulimit të përkohshëm të patentës për vaksinat. Donacionet e SHBA-së përfaqësojnë hapa shumë të rëndësishëm në përpjekjen për të vaksinuar gjithë popullsinë e botës.

Për sa i përket shkallës, 500 milionë doza të Pfizer përbëjnë shumë më tepër sesa sasia prej 121 milionë vaksinash që ka shpërndarë deri më tani COVAX. Por gjithsesi, kjo sasi është ende shumë larg objektivit të COVAX për të shpërndarë 2 miliardë doza brenda këtij viti.

Janë disa arsyet pse SHBA është e interesuar t’u dhurojë vaksina vendeve të tjera. Në thelb, të gjitha vendet do të përfitojnë nga përfundimi i kësaj pandemie. Për sa kohë që virusi i Covid-19 vazhdon të bëjë kërdinë në vendet e tjera, ai do të vazhdojë të jetë një kërcënim për shëndetin e amerikanëve.

Ekonomia amerikane është shumë e lidhur me ekonominë globale, e cila nuk do të rimëkëmbet plotësisht derisa të vihet nën kontroll pandemia. Por SHBA ka edhe motive të tjera. Për shumë politikë-bërës, ekziston një imperativ moral për të ndihmuar pjesën tjetër të botës, veçanërisht tani që shumica e amerikanëve që donin të vaksinoheshin e kanë bërë tashmë një gjë të tillë.

Një prioritet për administratën Biden është shndërrimi i politikës së jashtme në një instrument të dobishëm për amerikanët e zakonshëm, dhe Shtëpia e Bardhë ka theksuar se nga marrëveshja me Pfizer do të rritet PBB dhe vendet e punës në SHBA.

Një faktor tjetër është rivaliteti me Rusinë dhe Kinën në garën e “diplomacisë së vaksinave”. Këto të fundit premtuan të sigurojnë vaksina shumë më herët sesa SHBA-ja. Moska dhe Pekini kanë denoncuar në mënyrë të përsëritur koprracinë e supozuar të SHBA-së dhe Evropës në raport vaksinat.

Kjo fushatë u dha atyre ndikim, teksa e shkatërroi jo pak reputacionin e Perëndimit. Megjithatë përpjekjet ruse dhe kineze, kanë hasur në probleme të rëndësishme. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), nuk e ka miratuar ende vaksinën e Rusisë, dhe kjo e fundit u përball me probleme të rëndësishme dhe vonesa në prodhimin dhe furnizimin me vaksina, duke dështuar shumë shpesh qëtë përmbushë pritshmëritë e krijuara.

Ndërsa programi i brendshëm i vaksinimit po përshpejtohet, aftësia e Rusisë për të eksportuar vaksinën Sputnik mund të bjerë më tej. Dy vaksinat kineze janë aprovuar nga OBSH, të cilat duket se ndihmojnë në parandalimin e formës së rëndë të sëmundjes, por ka pikëpyetje serioze në lidhje me efektivitetin e vaksinave në parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Disa vende që përdorën gjerësisht vaksinat kineze, përjetuan ende valë të reja të mëdha të Covid-19. Ndërsa Rusia dhe Kina ishin në fillim në krye të kësaj gare, SHBA-ja shpreson tani t’i përdorë vaksinat e saj shumë më efektive për t’i mundur që të dyja këto vende në garën e diplomacisë së vaksinave.

Biden mban shpresë se SHBA-ja do të jetë “arsenali i vaksinave”që do të mposhtë pandeminë, ndaj e vendosi këtë çështje në krye të prioriteteve në kontekstin e një konkurrence më të gjerë midis demokracisë dhe autoritarizmit.

Britania e Madhe ka njoftuar planet e saj për t’i dhuruar 100 milionë doza nismës COVAX, ndërsa udhëheqësit e BE-së thonë se do të ofrojnë të paktën 100 milionë doza të tjera. Shumë gjëra do të varen nga sa pa probleme do të ecin përpara përpjekjet e SHBA-së, Evropës, Rusisë dhe Kinës në muajt e ardhshëm.

Vaksinat janë tanimë pjesë e një lufte globale gjeopolitike. Kjo mund të ketë pasoja pozitive për botën. Nëse konkurrenca i motivon disa vende për të siguruar më shumë vaksina për të tjerët, nga kjo mund të përfitojë shumë njerëz, dhe kjo mund të ndihmojë në dhënien fund të pandemisë, pavarësisht se kush e fiton garën e “diplomacisë së vaksinave”./Bota.al/