7.2 C
Tetovo
E martë, 1 Tetor, 2024
BallinaLajmeBotaIzraeli nis një ofensivë të vogël tokësore kundër Hezbollahut në Liban

Izraeli nis një ofensivë të vogël tokësore kundër Hezbollahut në Liban

Izraeli ka nisur sulme të vogla tokësore kundër Hezbollahut, kanë thënë zyrtarët të hënën dhe i ka shpallur tri komunitete të saj veriore si “një zonë e mbyllur ushtarake” duke rritur sinjalet se më tepër forca do të dërgohen së shpejti në Liban për t’i luftuar militantët e mbështetur nga Irani.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Izraeli e ka informuar SHBA-në për këto sulme, të cilat i ka përshkruar “si operacione të kufizuara të fokusuara në infrastrukturën e Hezbollahut në afërsi të kufirit”.

Nuk ka pasur raportime për konfrontime direkte mes trupave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut në tokën libaneze. Hera e fundit që Izraeli e Hezbollahu u përfshinë në luftime tokësore, ishte në luftën njëmujore në vitin 2006.

Por një zyrtar perëndimor, një diplomat në Kajro shteti i të cilit është i përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për depërshkallëzim, tha se një operacion tokësor izraelit në Liban është “shumë afër”. Ai ka thënë se Izraeli ka ndarë planet e tij me SHBA-në dhe aleatët perëndimorë dhe tha se operacioni do të jetë i “kufizuar”.

Izraeli e Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr thuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës në Gaza. Luftimet kanë zhvendosur dhjetëra mijëra qytetarë si në Izrael ashtu edhe Liban. Izraeli thotë se do ta godasë Hezbollahun derisa të jetë sigurt që izraelitët e zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre në komunitetet kufitare. Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë të hedhë raketa në drejtim të Izraelit dhe se do të ndalet vetëm nëse arrihet armëpushim në Gaza.

Nuk është ende e qartë nëse Izraeli ka marrë vendim final për një operacion të gjerë tokësor në Liban.

Të hënën paradite Hezbollahu është zotuar se do ta vazhdojë luftën edhe pasi lideri Hassan Nasrallah dhe zyrtarë të tjerë të lartë u vranë javën e kaluar gjatë sulmeve ajrore izraelite.

Në urdhrin e marrë nga Izraeli kufizohet hyrja dhe dalja nga komunitetet veriore Metula, Misgav Am dhe Kfar Giladi. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se trupat izraelite do ta pushtojnë menjëherë Libanin. Po ashtu zonat mund të shpallen si “të mbyllura” nëse paralajmërohet një kërcënim i menjëhershëm.

Por Izraeli ka rritur numrin e trupave përgjatë kufirit me Libanin ditëve të fundit dhe komandantët kanë thënë se janë duke përgatitur të dërgojnë forcat nëse Qeveria jep urdhrin.

Chris Coyle, një banor në veri të Izraelit, ka thënë se ushtria ka ngritur porta e pika kontrolli në të gjithë rajonin dhe ka pozicionuar shumë tanke gjatë kufirit ditët e fundit.

“Ata sigurisht po përgatiten të hyjnë”, ka thënë ai.

Udhëheqësi në detyrë i Hezbollahut, Naim Kassem, në një deklaratë televizive të hënën ka thënë se nëse Izraeli vendos ta nisë një ofensivë tokësore, luftëtarët e grupit do të jenë gati. Ai tha se komandantët e vrarë janë zëvendësuar tashmë.

E presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka kundërshtuar idenë për një ofensivë tokësore nga Izraeli në Liban dhe ka bërë thirrje për armëpushim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments