27.6 C
Tetovo
E hënë, 28 Korrik, 2025
BallinaLajmeIzet Mexhiti: Kalaja e Shkupit nuk është pronë e politikës/ S’do lejojmë...

Izet Mexhiti: Kalaja e Shkupit nuk është pronë e politikës/ S’do lejojmë më asnjë ndërtim që nxit përçarje!

Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, ka deklaruar se Kalaja e Shkupit nuk do të jetë më arenë për ndasi politike apo etnike. Në një prononcim ai theksoi se Qeveria ka marrë masa konkrete për ta rikthyer këtë monument historik në një hapësirë publike, të hapur për të gjithë qytetarët dhe vizitorët.

“Nuk do të ketë ndërtime në Kalanë e Shkupit,” tha Mexhiti.

“Përpjekjet për ndërtimin e objekteve fetare në vitin 2011 u ndalën nga qytetarët dhe aktivistët, dhe që prej atëherë Kalaja është lënë pas dore. Tani po pastrohet dhe hapet për të gjithë si një monument i trashëgimisë kulturore.”

Zëvendëskryeministri theksoi se qasja institucionale është mënyra e vetme për të shmangur tensionet ndëretnike dhe për të garantuar ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët.

“Kalaja nuk do të përdoret më për qëllime politike, as për ndarje. Është koha që ajo të shndërrohet në simbol të barazisë dhe identitetit multietnik të Shkupit.”

Ai kritikoi ashpër politikat e mëparshme që, sipas tij, e kishin politizuar rëndë këtë hapësirë historike.

“Gjendja e tanishme e Kalasë është pasojë e abuzimeve dhe keqpërdorimeve të së kaluarës. Ajo është bërë fytyra e turpit të atyre që e përdorën këtë monument si trampolinë për të hyrë në politikë si klandestinë, jo si ofertë serioze,” deklaroi Mexhiti.

Në fund, ai bëri thirrje për qetësi dhe maturi, duke siguruar publikun se nuk do të lejohet më që Kalaja të kthehet në terren manipulimesh politike:

“Rrini të qetë, ndërtime politike në Kala nuk do të ketë. Kalaja do të jetë pronë e përbashkët e të gjithëve – qytetarëve të Shkupit, pa dallim etnie apo feje.”

Me këtë qëndrim të prerë, Qeveria sinjalizon një fazë të re për Kalanë e Shkupit – nga simbol ndarjeje drejt hapësirë dinjitoze e uniteti kulturor dhe qytetar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments