Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti ka mohuar zërat se Ivan Stoilkoviqi do të udhëheq me Ministrinë për sistem politik duke e quajtur këtë propagandë të Artan Grubit dhe Bujar Osmanit dhe tha se këta të fundit, po përhapin dezinformata dhe po shtrembërojnë të vërtetën, përcjell TV21.
“Mos manipuloni! Makineria propagandistike e Artan Grubit dhe Bujar Osmanit nuk ndalet! Ata populli i dënoi me votë për shkak se në vend se të bëjnë punë, talleshin me shqiptarët dhe luanin futboll nëpër zyrat e minisrtive. Tani, nga dëshpërimi, në prag të formimit të qeverisë së re, Artani dhe Bujari, bashkë me megafonët e tyre, po shtrembërojnë të vërtetën dhe po përhapin dezinformata”, tha Mexhiti.
Mexhiti tha se Stoilkoviqi është propozuar që të udhëheq me Ministrinë për marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhe shtoi se kjo ministri nuk merret me të drejtat e shqiptarëve dhe njëkohësisht nuk merret me avancimin ose kufizon e tyre ndërkohë, Mexhiti tha se të drejtat e shqiptarëve janë të mbrojtura dhe të garantuara me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit.
“Nuk e merr Ivan Stoilkoviqi Ministrinë për sistem politik dhe as për Marrëveshjen e Ohrit! Stoilkoviqi është propozuar Ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, ndërsa kjo Ministri që është themeluar në vitin 2008, deri vonë kishte në ingerenca mbrojtjen, kultivimin dhe afirmimin e grupeve etnike më të vogla se 20%, pra, ingerenca në avancimin e të drejtave të turqve, serbëve, boshnjakëve, romëve dhe të tjerëve. Pra, kjo Ministri nuk merret me të drejtat e shqiptarëve, as nuk i kufizon, as nuk i avancon ato. Të drejtat e shqiptarëve janë të mbrojtura dhe të garantuara me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit. Si popull i dytë shumicë, shqiptarët përfaqësohen me më shumë ministri dhe portofole në kabinetin qeveritar. Ndërsa me riorganizimin e ministrive të cilin e votoi edhe BDI-ja, edhe kjo Ministri e 20 përqindëshit për të cilën flasin Artani dhe Bujari do të pësojë transformim”, shkroi tutje Izet Mexhiti.