Në Indeksin e Sundimit të Ligjit, Kosova është radhitur e 58-ta ndërsa para saj sa i përket vendeve nga Ballkani Perëndimor është Greqia dhe Mali i Zi.
Raporti i cili është publikuar të mërkurën nga Projekti i Drejtësisë Botërore (WJP) e ka radhitur pas Kosovës, Shqipërinë në pozitën e 91-të ndërsa pas saj është radhitur Serbia në pozitën e 98-të.
Për dallim nga raportet paraprake të cilat ishin publikuar në vitet e kaluara nga indeksi i sundimit të Ligjit, këtë vit këtij raporti i është shtuar edhe Mali i Zi.
Në vitin 2022, Kosova kishte arritur që të renditet e para në Indeksin e Sundimit të Ligjit për nga vendet e Ballkanit Perëndimor për sundimin e ligjit nga Projekti i Drejtësisë Botërore (WJP).
Lidhur me mungesën e korrupsionit Kosova është e renditur në pozitën e 64-të në nivel global, me vlerësim prej 0.47.
Për transparencën e Qeverisë, Kosova ka humbur 0.1 pikë në vlerësimin e indeksit, nga 0.58 në 0.57.
Ndërsa, sa i përket të drejtave fundamentale të njeriut, Kosova është renditur në pozitën e 55-të me vlerësim prej 0.61, teksa në vitin 2022 Kosova renditej në pozitën e 56-të me 0.60 vlerësim.
Sa i përket rendit dhe sigurisë Kosova është renditur në pozitën e 32-të me 0.83 vlerësim, kurse vitin e kaluar Kosova ishte në pozitën e 33-të, me po të njëjtin vlerësim në pikë.
Për zbatimin e rregulloreve Kosova është ngritur për një pozitë, nga e 81 sa ishte vitin e kaluar, në 80 me vlerësim prej 0.48.
Për drejtësinë civile, Kosova është e renditur e 80-ta me 0.50 vlerësim.
Kurse, në drejtësinë penale Kosova renditet e 65 me 0.46 vlerësim.
Renditjen më të mirë për këto tri vite, Kosova e pati shënuar në vitin 2020, ku kishte dalur e 54-ta në botë.