18.2 C
Tetovo
E mërkurë, 1 Maj, 2024
BallinaOpinionIndeks.mk / Talat Xhaferi, “i pari” që thyen paragjykimet si kryeministër!

Indeks.mk / Talat Xhaferi, “i pari” që thyen paragjykimet si kryeministër!

BDI-ja e bëri të veten, e dha një premtim, i cili nuk ka rëndësi vetëm për të si parti, por dhe krijon standarde të reja qeverisjeje, ku barazia dhe cilësia, janë dy çështje që shkojnë bashkë. Vetë përcaktimi për Talat Xhaferin si kandidat për kryeministrin e parë shqiptar, dëshmon se në radhët e veta ka emra dinjitozë e të aftë për çdo sfidë

Shkruan: Indeks.mk

Enigma u zgjidh! “Kryeministri shqiptar” i Republikës së Maqedonisë së Veriut, prej 28 janari, do të jetë Talat Xhaferi.

Vendimi i Kryesisë Qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim e nxori emrin e tij. Mund të nxirrte edhe emra të tjerë, dhe nuk do të gabonte, por ndoshta deshi t’i japë karakter simbolik, sepse, pas të qenit “i parë” kryeparlamentar në Maqedoninë pluraliste, i binte hise të jetë edhe kryeministër i parë . Madje dhe sipas kushtetutës, në një situatë hipotetike të mungesës së shefit të shtetit, edhe shef shteti në detyrë!

Ana simbolike nuk është pa rëndësi kur është fjala e thyerjes së barrierave politike në vendin tonë, të ngarkuar në të kaluarën me gjithfarë stereotipesh e paragjykimesh. Ose rregullash të pashkruara, sipas të cilave, bie fjala, nuk mund të jetë kryetar qeverie një shqiptar. Ose kryeparlamentar apo kryetar shteti. Rregullat e pashkruara, të kuptuara si shabllone, të ngritura në një lloj dogme politiko-juridike, të cilat disa qarqe politike, edhe i kanë kultivuar si të tilla.

Prandaj, sot kur po jetësohet “projekti” i “kryeministrit të parë shqiptar”, thyhen të gjitha këto dogma. Nuk është aq me rëndësi se një parti politike, në rastin konkret, Bashkimi Demokratik për Integrim e përmbush një premtim të dhënë, por pse ai premtim shënon një hap drejt një shoqërie ku nuk do të mbretërojnë kufizimet e pashkruara, ku të qenit politikan shqiptar, nuk është rangu i dytë i politikanit, por i barabartë në çdo pikëpamje.

Kjo është ana simbolike, ose më saktë, mesazhi që një vend dhe një shoqëri është duke e marrë.

Ana tjetër, nuk është vetëm simbolikë, por dhe çështje “përmbajtësore”, ta quajmë ashtu dhe ka të bëjë pak edhe me të bëri politikë nga ana e BDI-së dhe të potencialit të vet kadrovik, të sajin si parti dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Pse?

Sepse, Talat Xhaferi nuk është një personalitet i rastit për t’u bërë kryeministër. Ai, me dy mandatet e kaluara si kryetar Kuvendi, tregoi se një shqiptar është po aq i suksesshëm për këtë detyrë të lartë e me përgjegjësi, sa gjithë kolegët e tij maqedonas para tij. Shumëkush thotë se në këtë shoqëri me ta, është ndër më të suksesshmit. Me dijen, elokuencën dhe zhdërvjelltësinë e udhëheqjes së Parlamentit, ka fituar respekt të pashoq në sytë e publikut të gjerë, i cili ishte edhe bashkëbisedues dinjitoz edhe me shumë përfaqësues ndërkombëtarë. E kur jemi këtu, të mos harrojmë se ai ishte burrështetasi i parë i cili pati guximin ta vizitojë Kievin nën agresionin rus dhe të takohet me kryetarin e Ukrainës, Zelenskin.

E dimë se ndoshta ka pasur edhe qarqe që e kanë shikuar me sy vëngër Talat Xhaferin, por këto janë vetëm inate politike. Do të ketë edhe tash të tillë që do ta kontestojnë figurën e tij, por jo për shkak të cilësisë së kandidaturës së tij, por për motivet të cilat mund të supozohen: se dikush ende mendon se në Maqedoni nuk mundet të bëhet kryetar qeverie një shqiptar. Mund të jenë të njëjtët ata që qeverinë aktuale nuk e kritikojnë për shkak të politikave të saj, por për shkak se në disa resorë kyç janë gjetur kuadro shqiptare, si në ministrinë e financave apo atë të punëve të jashtme. Por, një shkrim që bëri një nga gazetarët legjendarë të Maqedonisë, Atanas Kostovski, kur i dha komplimente ministrit të jashtëm “që më bëre të ndihem maqedonas krenar”(pas Samitit të OSBE-së në Shkup), tregon se kjo politikë e BDI-së dhe koalicionit qeveritar, vërtet i ka thyer paragjykimet e deritashme të ushqyera nga etnocentrizmi.

Në këtë kontekst, nëse është i pritur reagimi i VMRO-së, e cila vazhdimisht merret me “hijet”(e së kaluarës). VMRO-ja kësaj radhe, duke ia kujtuar Talat Xhaferit “komandanturën” në UÇK, sikur don publikut të Maqedonisë ta irritojë me diçka që ka ndodhur para dy dekadash dhe pas të cilit ka pasuar Marrëveshja e pajtimit, duke na kujtuar edhe një herë se në këtë parti, disa rryma asnjëherë nuk shikojnë përpara. Opozita shqiptare, duket se në mungesë të argumenteve për ta kontestuar, ka “argumentin” e inatit, ndonëse duhej të mblidhnin pak forcë e kurajë për ta mbështetur një arritje të tillë të paktën në parim, pasi “kryeministri shqiptar” u përket edhe atyre, pasi një pjesë e tyre, e kanë edhe ish-bashkapartiakë dhe madje kanë agjituar në zgjedhjet e kaluara për të.

BDI-ja e bëri të veten, e dha dhe e realizoi një premtim, i cili nuk ka rëndësi vetëm për të si parti, por dhe krijon standarde të reja qeverisjeje, ku barazia dhe cilësia, janë dy çështje që shkojnë bashkë. Vetë përcaktimi për Talat Xhaferin si kandidat për kryeministrin e parë shqiptar, dëshmon se në radhët e veta ka emra dinjitozë e të aftë për çdo sfidë. Duke njohur vetë Xhaferin, karrierën e tij që gjithnjë ka qenë në ngritje cilësore, nuk ka asnjë dilemë se tre muajt e (krye)qeverisjes së tij, do të jenë një periudhë përtej simbolikës politike.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments