1.1 C
Tetovo
E shtunë, 14 Dhjetor, 2024
BallinaOpinionHysamedin Feraj / Amandamenti V pika 1 dhe gjuha shqipe në Maqedoninë...

Hysamedin Feraj / Amandamenti V pika 1 dhe gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut

Amandamenti V pika 1:
“Në territorin e republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik”. Pikë, jo presje.
Që shqipja të jetë gjuhë zyrtare, duhej të ishte:
“Në territorin e republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shqipe, me alfabetet e tyre përkatës, cirilik dhe shqip”, Pikë, jo presje.
Meqë nuk është kështu, duket sikur pika 1 mbaron me presje sepse duhet të shes iluzionin:
“Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen”.
Më tej, le ta lexojnë shpjegimin ata që kanë durim të arsyetojnë dhe vullnet të mendojnë:
I.
Amandamenti V është iluzion pa realitet sepse këtë ia ka lënë interpretimit të ardhshëm, atij interpretimi që do ta përcaktojë dhe ta bëj realitet, pra ka lënë një betejë që duhet fituar: betejën e interpretimit.
Fjalia “është gjuhë zyrtare… siç është përcaktuar me këtë nen”,
1. Mund të interpretohet sipas paragrafit të parë: “në territorin e republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare”. Por nuk është kështu: shqipja nuk është gjithashtu gjuhë e komunikimit të RMV në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare.
2. Mund të interpretohet: vlen në gjithë territorin brenda RMV, pra sa në Tetovë aq dhe në Veles, në Manastir dhe Shtip, etj., pavarësisht sa ka folës të saj. Çdo dokument zyrtar, çdo vulë e shtetit, etj., në gjithë territorin e RMV përmban dhe lëshohet automatikisht në të dy gjuhët, pa kërkesë specifike nga qytetari. Por nuk është kështu me kushtetutë.
3. Mund të interpretohet: gjuhë zyrtare e lokalizuar në qytetar-individ. Sepse në germë, kushtetuta i njeh të drejtën qytetarit të komunikojë në gjuhën shqipe me institcionet e të gjithë niveleve, dhe të marrë përgjigje edhe në gjuhën shqipe. Por nuk ia njeh këtë të drejtë instiucioneve, zyrtarëve, përfaqësuesve të tyre, sepse hesht.
Në logjikën “çka nuk ndalohet, lejohet”, këtë të drejtë e ka plotësuar, ligji për përdorimin e gjuhëve. Por, DERI DIKU.
4. Mund të interpretohet: atë që ligji e njeh në germë, nuk është në frymën e kushtetutës. Po të ishte gjuhë zyrtare, barabar me maqedonishtën, që është zyrtare:
a) nuk do të ishin të nevojshëm 5 pargarafë të kushtetuës që tregojnë si përdoret gjuha “zyrtare” në komunikimin e qytetarit me institucionet e shtetit. Mirëpo këta paragrafë janë aty, sepse nuk është zyrtare sa të kuptohet vetiu, po aq zyrtare sa maqedonishtja për të cilën nuk ka pargarafë kushtetues as ligjor si dhe kur është e drejtë kushtetuese të përdoret;
b) Nuk do të ishte fare i nevojshëm vetë ligji për gjuhët, ashtu siç ështe, sepse nuk ka shtet në botë që ka gjuhë zyrtare dhe që, më pas, përdorimin e saj e rregullon me ligj të veçantë.
II.
Beteja e interpretimeve:
1. Interpretimi i nacionalistëve maqedonas është se ligji për gjuhët që bie ndesh kushtetutës sepse e cënon karakterin unik të shtetit dhe e bën shtet dy-gjuhësh. I kanë kërkuar mendim Komisionit të Venedikut dhe, në thelb, ky u ka dhënë të drejtë! Nuk është e papritshme që këtij interpretimi t’i bashkohen qeveritë e kryesuara nga sllavo-maqedonët.
2. Interpretimi i shqiptarëve është i ndarë në dy aspekte: juridik dhe strategjik.
Njëra palë e interpreton amandamentin V, dhe ndoshta beson sinqerisht, se juridikisht ky amandament e bën shqipen gjuhë zyrtare kushtetuese. Dhe pikërisht ky është iluzioni që do të shes ky nen. Edhe ata që e interpretojnë kështu, e dinë se shqipja nuk është gjuhë zyrtare shprehimisht. Por, meqë thotë se çfarëdo gjuhe, nga kushdo që flitet së paku nga 20 % e popullisisë, është gjuhë zyrtare, dhe meqë këtë kriter e plotëson vetëm gjuha shqipe, nxjerrin përfundimin se neni V e bën zyrtare gjuhën shqipe. Kuptojnë po ashtu se ky është argument eliptik, i tërthortë, i nënkuptueshëm, jo shprehimisht dhe së paku sa kohë që folësit e shqipes nuk bien poshtë kësaj sasie. Strategjikisht (politikisht) këta e quajnë të kryer kushtetimin e shqipes si gjuhë zyrtare në RMV, punë të përfunduar, dhe sigurisht meritë të veten. Ose, së paku duan ta quajnë kështu, ndoshta me idenë strategjike se po u zhvlerësua Ligji për gjuhët, ta përdorin si shkas revolte të shqiptarëve, që po ju hiqet një e drejtë tashmë e fituar, kundër sundimin të sllavo- maqedonasve.
Pala tjetër e interpreton amandamenti V siç është: iluzion, truk juridik, të cilin shqiptarët nuk duhet ta blejnë, “nuk duhet ta hanë”, as të bien në kurthin e tij. Strategjikisht (politikisht), zyrtarizimin juridik kushtetues e quajnë punë të pakryer dhe që duhet kryer.
3. Autoriteti përfundimtar i interpretimit të kushtetuës dhe ligjit është Gjykata Kushtetuese e RMV. Mund ta interpretojë se ligji për përdorimin e gjuhës bie ndesh germës së kushtetutës: ndesh nenit V pargarafi 1: “në territorin e republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik”. Bie ndesh frymës së Kushtetutës: a) me amandamentin IV, që njeh si popull maqedonasit, ndërsa shqiptarët si qytetarë të saj por pjesë e popullit shqiptar. Bie ndesh b) me amandamenti V që u njeh qytetarëve si individë të drejtën e komunikimit në gjuhën e vet (20-përindëshe) me institucionet shtetërorë, por jo vetë institcioneve shtetërorë. Prandaj ligji për gjuhët bie ndesh frymës së kushtetutës.
Mund të interpretojë se vetë ligji, që rrjedh nga amandamenti V i kushtetutës, pranon vlefshmërinë lokale të përdorimit të shqipes:
a) në uniformat e policisë, të zjarrëfikësve dhe të shëndetësisë shkruhet edhe shqipja vetëm në KOMUNAT me së paku 20 % shqiptar (neni 8 pika 3 e lgjit);
b) në vendkalimet kufitare, dhe aeroporte, emrat e institcioneve, mbishkrimet, e tjera dhe udhërrëfyesit shkruhen edhe shqip vetëm në RAJONET ku së paku 20 % e popullsisë flasin shqip (neni 16, pika 2).
c) Nuk e bën shqipen gjuhë të komunikimit ndërkombëtar të RMV, siç është gjuha e mirëfilltë zyrtare, etj.
Veç këtyre,
ç. Komisioni i Venecias në opinionin e tij ka këshilluar abrogimin e këtij ligji dhe kthimin në vitin 2008: “ligji shkon shumë larg (e tepron – H.F) duke i imponuar institucioneve publike detyrime joreale, në veçanti në procedurat gjyqësore. Obligimet janë joreale dhe të shtrenjta për t’u zbatuar”.
Gjithsesi, edhe pa këtë mbështetje juridike të Komisionit të Venecias, interpretimi i vendimit të GJK të RMV është i pacënueshëm juridikisht, ndonëse mund të jetë i gabuar dhe i rremë. Kjo dhe është e pritshme, qoftë për shkak të njëanësisë politike të gjykatësve, qoftë sepse interpretimi (hermenutika) është disiplinë e filozofisë, gjë që sot u mungon juristëve kudo. Se është kështu, mjafton të shihet opinioni i gjykatësve të Komisionit të Venecias: ligji duhet abroguar, sepse të drejtat e gjuhës shqipe “janë të shtrenjta për t’u zbatuar”. Gjykatësi i Komisionit të Venecias iu vendos çmim monetar të drejtave njerëzore! Kush ka pare, i blen; kush nuk ka pare, nuk ka të drejta!
III.
Politika:
Nacionalistët maqedonas duan ta zhbëjnë edhe iluzionin se gjuha shqipe është zyrtare. Qeveritarët sllav-maqedonas, duke ditur se nuk mund të jenë në qeverisje pa shqiptarë, mund të duan të ruajnë iluzionin.
Siç u tha, shqiptarët që kanë arritur amandamentin V dhe Ligjin për gjuhët e quajnë të kryer punën, dhe mëtojnë meritat. Sigurisht amendimi dhe ligji janë meritë e tyre.
Të tjerët, që amandamentin dhe ligjin i shohin avancim, por jo punë të kryer, kërkojnë angazhimin politik për cilësimin e shqipes shprehimisht dhe në kushtetutë si gjuhë e mirëfillët zyrtare.
Duke deklaruar se gjuha shqipe nuk është shprehimisht dhe mirëfilli gjuhë zyrtare, me fuqi të tillë të plotë juridike-kushtetuese, e barabartë me maqedonishten, këta ta fundit nuk ia lehtësojnë punën as vetes as qeverisë maqedonase. Ata që e avanacuan deri aq, nëse nuk janë lodhur (gjë që duhet mirëkuptuar) mund t’i bashkohen punës së çuar deri diku. Përndryshe, nëse ata janë lodhur, është detyrë e forcave dhe brezit të ri ta kryej detyrën deri në fund.
Botuar me 21.11.2024, në Rruga Press:

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments