Bashkëpartiaku Izet Mexhiti para katër muajsh u bënte thirrje për më pak fotografi, e më shumë punë…
“Jo 2 km, por 12 kilometra, sa më shpejtë të kryhen, më shumë punë, më pak fotografi, më pak reklamim aty…”, u shpreh Izet Mexhiti – deputet i BDI-së.
Por zyrtarë të BDI-së, përsëri u gjendën në rrugën Shkup-Bllacë për të inspektuar punimet e 2 kilometrave të para. Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, u duk sërish këtu, bashkë me dy bashkpartiakë, zëvendësministrin e transportit Bekim Rexhepi dhe drejtorin e “Rrugëve shtetërore” Ejup Rrustemi.
Me ta ishte edhe Ministri për Transport dhe Lidhje Bllagoja Boçvarski, të cilit Grubi i tregoi se si do të ishte kjo pjesë kur të hiqej kufiri me Kosovën, si anëtarë të BE-së.
“Dhëntë Zoti, ndonjëherë, nëse e heqim kufirin dhe hyjmë në Bashkimin Evropian…”.
Pasi u sigurua se në autostradë do të jenë edhe pikë kalimet kufitare…
“Nga kufiri do të jetë autostradë…”.
Numri dy i qeverisë u shpreh se qëllimi final është lidhja Bllacë-Qafë Thanë përmes korridorit 8.
Ministri Boçvarski të ardhmen e shtetit e sheh me zhvillimin e infrastrukturës përmes së cilës do të rriteshin marrëdhëniet tregtare me fqinjët.
“Kemi front të hapur për punë dhe do bëjmë presim të plotë nga të gjitha anët që marrin pjesë në ndërtimin e këtij projekti, që në këtë sezon ndërtimi të kemi punë të pandërprerë”, u shpreh Bllagoja Boçvarski – Ministër për Transport dhe Lidhje.
Sa i përket pjesës së dytë të autostradës prej 10,5 km, projekti ideor tashmë po pret miratimin e institucioneve. Ai do të jetë deri tek qarkorja e Shkupit, ndërsa po negociohet me Qytetin e Shkupit që i njëjti të lidhet me rrugën e Kaçanikut (“Hasan Prishtina”).
Sa u përket shpronësimit të tokave dhe atyre që kanë mbetur të pakënaqur me çmimin, Rrustemi tha se procedurat janë në gjyq dhe se tokat do të paguhen varësisht vendimit gjyqësor.
Aktualisht po punohet në trasenë e 2 km të para të kësaj autostrade dhe po zhvendosen kabllot nëntokësor.