Të punësuarit e Drejtorisë së Librave Amë vazhdojnë të jenë në grevë. Kërkojnë miratimin e marrëveshjes kolektive në nivel punëdhënësi, rritje lineare të pagave me 30% dhe përmirësimin e kushteve të punës. Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançeski, thotë se në bisedimet me Drejtorinë e Librave Amë kanë arritur të bien dakord për disa çështje. Shprehet se duhet të nënshkruhet marrëveshja kolektive, por sipas tij kërkesat e tyre janë jashtë rregullativave ligjore. Ministri thotë se vetëm 20-25% e të punësuarve janë në grevë, ndërsa të tjerët po punojnë.
Për këtë deklaratë të Ministrin, reagoi Sindikata e Drejtorisë për Librat Amë, duke thënë se rreth 70% e të punësuarve janë në grevë, e jo aq sa pohon ministri.“Me rastin e deklaratës së ministrit të drejtësisë, z.Tupançeski, se 30% e të punësuarve në zyrën e drejtorisë së librave amë janë në grevë, me përgjegjësinë më të madhe pohojmë se rreth 70% e të punësuarve janë të përfshirë në grevë. Kujtojmë se të punësuarit vetë kanë nënshkruar personalisht grevën. Në vend që autoritetet të spekulojnë me numrin e grevistëve, edhe njëherë ju bëjmë thirrje që të vazhdojnë dialogun social dhe të gjejnë një zgjidhje përfundimtare për kërkesat tona”- thonë sindikata e Drejtorisë për Librat Amë
Greva ka filluar prej më 27 prill, ndërsa ka nisur si pasojë e hasjes për tre vjet në vesh të shurdhër të autoriteteve kompetente për rritjen e pagave të punëtorëve në shërbimet e librave amë, të cilat arrijnë në 14.500 denarë, që është më pak se paga minimale. Ata thonë se nëse nuk arrihet marrëveshje do të dalin sërish në rrugë për të protestuar.