Tetova assesi të bëhet me transport publik. Disa herë është premtuar se kjo çështje do të zgjidhet, por autobusët nuk duken askund.
“Unë e shohë Tetovën një qytet urban me infrastrukturë efikase rrugore linja te rregullta të transportit publik”, ka deklaruar Teuta Arifi –në zgjedhjet 2013.
Kështu fliste Tetuta Arifi në vitin 2013, kur transporti publik për të ishte ndër premtimet kryesore.
Pas shtat vjetëve, kryetarja e komunës së Tetovës, në shkurt tha se komuna tashmë kishte fituar mjetet për sigurimin e 5 autobusëve
“Vlera e autobusëve është afër 900 mijë euro dhe si rezultat i suksesit të këtyre dy projektimeve banka botërore na ofron edhe grant në vlerën e 27% të realizimit të këtyre projekteve”, ka deklaruar Teuta Arifi para dy muajve.
Jemi në mes të muajit maj, dhe tani arsyetimi është se për shkak të koronavirusit nuk mund të hapet tenderi. Edhe nga Ndërmarrja për Transport Publik, e themeluar për këtë çështje, për vonesën e procedurës gishtin e drejtojnë nga Qeveria.
“Procedurat për hapjen e furnizimit me autobusë nga ana e Komunës se Tetovës është gati, mirëpo me vendim të Qeverisë, ku për shkak të pandemisë së virusit Covid19 dhe gjendjes se jashtëzakonshme janë ndërprerë procedurat që kanë të bëjnë me nënshkrimin e kontratave dhe shpalljeve për furnizime për organet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale”, thonë nga NTP – Tetovë.
Qytetarët vazhdimisht ankohen për mospasjen e Transportit publik, pasi në Tetovë jetojnë mbi 120 mijë banorë, ndërsa në këtë qytet ka edhe dy universitete.